Arbëri

Kallëzim Penal ndaj disa zyrtarëve të Komunës së Malishevës me dyshimin për keqpërdorime

Një lëndë me dokumente të shumta për keqpërdorime të mundshme të buxhetit të komunës në vlerë prej mbi një milion eurosh nga kryetari i Malishevës, Ragib Begaj dhe disa vartësve të tij ishte paraqitur në Departamentin e Krimeve të rënda Ekonomike të Policisë në Prishtinë në muajin prill.

Opozita e kësaj komune me këto dokumente që pasqyronin manipulimet për disa projekte të ndryshme infrastrukturore, pretendonte se paratë për to në raporte financiare, figurojnë si të shpenzuara, ndërsa këto projekte as që kanë filluar ndonjëherë të realizohen, raporton KTV.

Sipas Alban Krasniqit, asamblist i VV-së në Kuvendin Komunal në Malishevë, as pas gjithë kësaj kohe, nuk janë njoftuar nga Policia e as Prokuroria se kanë nisur hetime lidhur me këtë çështje.

Por, Policia ka konfirmuar për KTV-në se departamenti Special Antikorrupsion ka nisur hetimet ndaj disa zyrtarëve komunal të Malishevës, pa saktësuar se ndaj sa personave dhe ndaj kujt.

Në një përgjigje për televizionin nga Zyra për informim e policisë, kanë treguar se pas hetimeve që kanë nisur në fillim të 2019-s, së fundmi është ngritur edhe kallëzim penal në Prokurorinë kompetente.

Por, i pafajshëm karshi këtyre akuzave shprehet kryetari i kësaj komune Ragib Begaj, i cili thotë se asnjëherë gjatë dy mandateve sa është në këtë pozitë, nuk ka keqpërdorur asnjë cent të buxhetit.

Begaj shton se mund të ketë ndodhur që mjetet e planifikuara për një projekt të caktuar, të barten për realizmin e një projekti tjetër, por assesi të shkojnë në xhep të njerëzve të caktuar.

Keqpërdorimet me para të buxhetit komunal pretendohet se janë bërë në rreth 10 raste të ndryshme të projekteve në infrastrukturë.