Arbëri

Në Mitrovicë u hap ekspozita për vlerësimin preliminar të tokës

Descriptive Text

Ministria e Financave, në bashkëpunim me shtetin e Suedisë dhe komunën e Mitrovicës ka hapur sot, në Mitrovicë, ekspozitën për vlerësimin preliminar të tokës në këtë komunë, që përdoret për qëllime të tatimit në pronë, edhe për qëllime të tjera.

Në hapjen zyrtare të kësaj ekspozite, morën pjesë nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, drejtori i Drejtorisë së Financave, Nysret Maxhera, përfaqësuesi i projektit Olov Farnkvist, vlerësuesi i pavarur i projektit,Ragip Rugova dhe shumë zyrtarë të tjerë e qytetarë, të cilët ishin të interesuar të njoftohen më gjerësisht në lidhje me këtë ekspozitë.

Vlerësuesi i këtij projekti, Ragip Rugova tha se ky projekt synim kryesor e ka tërheqjen e vlerave zyrtare për qëllimin tatimor, duke shtuar njëkohësisht se me implementimin e këtij projekti tokat do të vlerësohen drejt dhe se do të ketë regjistër për të gjitha parcelat.

Eksperti i jashtëm projektit, Olov Farnkvist, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Mitrovicës që gjatë kësaj ekspozite të njoftohen më gjerësisht në lidhje me vlerësimin preliminar të tokave të tyre.

Kjo ekspozitë për vlerësimin preliminar të tokës në Komunën e Mitrovicës për qytetarët e kësaj komune do të jetë e hapur një muaj.