Arbëri

Banorët e Bitisë do të protestojnë çdo ditë kundër gypave në Lepenc

Këta banorë të komunës së Shtërpcës janë nisur për të shkuar te vendi, ku ka rreth 4 vjet që protestojnë vazhdimisht.

Ata kanë vendosur që çdo ditë të vijnë këtu, ku është duke u ndërtuar ky hidrocentral, për të shprehur pakënaqësitë e tyre, raporton KTV.

E në prag të zgjedhjeve të parakohshme, këta banorë shprehin dyshimet e tyre se do merret seriozisht dikush me çështjen e hidrocentraleve.

Tutje, banorët e fshatit Biti e Poshtme thonë se me ndërtimin e tyre, është dëmtuar shtrati i lumit dhe uji është bërë i papastër, gjë që po u shkakton telashe të shumta edhe në bujqësi.

Punëtorët e kompanisë ndërtuese kanë qenë duke punuar, por kur kanë parë ekipin e televizionit, kanë ndërprerë punën dhe kanë shtuar pjesëtarët e sigurimit.

Javë më parë, me urdhër të Gjykatës Themelore në Ferizaj, janë bastisur disa shtëpi e janë arrestuar 2 persona, për shkak të protestave të organizuara nga këta banorë.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka thënë se hetimet për këtë rast janë duke u zhvilluar për veprën penale “Zjarrëvënie”.

“Lidhur me rastin në fjalë, Prokuroria Themelore në Ferizaj, ju njofton se ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh dy persona të dyshuar, të cilët më pas janë liruar në procedurë të rregullt. Ndërsa, hetimet lidhur me këtë rast, janë duke u zhvilluar për veprën penale “Zjarrvënia” nga neni 322 paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, ka thënë në një përgjigje me shkrim, Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Ekipi i Kohavisionit ka provuar të marrë një prononcim nga zyrtarë të komunës së Shtërpcës në lidhje me ndërtimin e hidrocentraleve, por fillimisht përmes telefonit, nënkryetari i komunës Fikri Hasani ka thënë se nuk është kompetent për këtë çështje dhe se duhet të flasim me drejtorin e Urbanizimit , e që ky i fundit kur përmes telefonit është pyetur për hidrocentralet e ka mbyllur atë.

Televizioni ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Mjedisit lidhur me kundërshtimet e banorëve, si dhe për masën e përkohshme që kishte kërkuar Avokati i Popullit muaj më parë, me kërkesë që të pezulloheshin aktivitetet në hidrocentralet në Shtërpcë dhe Deçan, por ata përsëri nuk janë përgjigjur.

Hidrocentrale të tilla së fundmi, kanë filluar të ndërtohen edhe në pjesën e Parkut Nacional të Sharrit në Brezovicë.