Arbëri

Mitrovica fiton mbi 200 mijë euro grant për performancë mjedisore

Komuna e Mitrovicës, është radhitur e dyta në nivel të Kosovës për performancën më të mirë në kuadër të Grantit të Përformancës - Mjedisi i Pastër, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Ky grant është ndarë për komunat të cilat u janë nënshtruar tri kritereve të qasjes si dhe janë vlerësuar për tre indikatorë të qeverisjes së mirë, të nxjerra nga sistemi i menaxhimit të përformancës komunale në MAPL si dhe tetë indikatorë të menaxhimit të mbeturinave.

“Komuna e Mitrovicës në raundin e parë të skemës së grantit të përformancës - Mjedisi i Pastër pas procesit të vlerësimit të kritereve dhe indikatorëve të përformancës është radhitur në mesin e komunave fituese duke u shpërblyer kështu me grant në vlerë prej 217, 213.00 euro”, thuhet në komunikatë.

Me këtë rast, drejtori i Mjedisit nga Komuna e Mitrovicës, Asllan Isufi, ka falënderuar përfaqësuesit e MMPH-së dhe të GIZ-it gjerman që Mitrovicën e kanë kategorizuar me një performancë të tillë mjedisore.

“Falënderoj të gjithë akterët e angazhuar që e kanë ndihmuar për largimin e deponive ilegale, njëherësh kërkoj nga qytetarët që ta ruajnë ambientin sepse një mjedis i pastër nënkupton një shëndet më i mirë për të gjithë ne”, ka thënë Isufi.

Granti i Performancës – Mjedisi i Pastër është mbështetur nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, si dhe me mandat nga Ministria për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik të Federatës Gjermane (BMZ).