Arbëri

Pushimi vjetor i punëkryerësit lë në gjysmë punimet në sheshin e Pejës

Foto: Koha

Që nga fillimi i muajit gusht punimet në rregullimin e sheshit janë ndërprerë pa ndonjë sqarim nga autoritetet komunale.

Kjo ka nxitur reagimin e opozitës pejane, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Ekziston një teori absurde mbi pushtetin se sa më shumë është injorant e mospërfillës ndaj njerëzve, aq më shumë çmohet, respektohet e besohet...? Ka disa kohë që ky pushtet qiellor i Pejës ka filluar kinse ta rregullojë një pjesë të vockël të sheshit kryesor të qytetit dhe për çudi pasi i asgjësoi me dhjetëra pemë, e çrregulloi dhe vështirësoi lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe krijoj ambient të papastër në atë pjesë të qytetit, mu në vlugun e ardhjes së bashkëqytetarëve tanë nga diaspora, këta të mençurit ka javë që i kanë ndërprerë punët në rregullimin e sheshit dhe heshtin...”, thotë Reshat Nurboja, kryetari i Alternativës në Pejë. Sipas tij, një veprim i tillë nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë askund në botën e civilizuar dhe me pushtet të përgjegjshëm.

Mirëpo, drejtoresha e Shërbimeve Publike, Xhevahire Çeku-Kelmendi, tregoi se ka arsye pse janë ndërprerë punimet. “Kompania e kontraktuar për ndërtimin e sheshit e ka periudhën e pushimit, kur e gjithë kompania del në pushim. Kjo është arsyeja pse janë ndërprerë punimet. Një javë ia ka ndërprerë Komuna punimet për shkak të organizimit të ‘festës së miqësisë’, dhe pastaj është lidhur edhe pushimi i vjetor i asaj kompanie. Por tash, sa kam informacion, pushimet i kanë kryer dhe shumë shpejt pritet që t’i vazhdojnë punimet”, thotë drejtoresha.

Punimet në rindërtimin e sheshit të qytetit kanë nisur në mesin e muajit qershor, me realizimin e fazës së parë të projektit, që parasheh rindërtimin e pjesës qendrore të sheshit “Skënderbeu” deri te rruga që shkon për në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Faza e parë ka vlerë të kontraktuar prej 519 mijë eurosh.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)