Arbëri

Në Gjilan evidentohen 25 raste të konfiskimit të drunjve dhe 273 zjarre

Descriptive Text

Brenda 6 muajve të parë të këtij viti, janë shënuar 25 raste të konfiskimit të drunjve në sasi prej 56 metra kubë, gjersa ka pasur edhe denoncime në institucionet e drejtësisë për personat të cilët kanë shkelur legjislacionin në fuqi. Këto raste janë evidentuar në raportin e Drejtorisë së Bujqësisë.

Sa i përket gjendjes së zjarreve në territorin e komunës janë evidentuar gjithsej 273 zjarre, shkruan sot “Koha Ditore”.

Drejtori i Bujqësisë në Gjilan, Ramiz Ramadani, thotë se në sektorin e pyjeve janë duke u zhvilluar aktivitetet të cilat përcaktohen me planin e punës. Ai thekson se autoritetet kanë marrë masa edhe ndaj atyre të cilët kryejnë shkelje.

“Te sektori i pylltarisë gjatë kësaj periudhe kemi ngritur 233 fletëparaqitje nga të cilat 199 për kundërvajtje dhe 7 penale, dhe 27 për transport. Për këtë periudhë kohore kemi pasur 25 raste të konfiskimit në sasi prej 56 metra kubësh. Në bazë të planifikimit vjetor të shfrytëzimit të masës drusore për vitin 2019 nga Agjencia Pyjore e Kosovës janë planifikuar prerja e masës drusore prej 1 mijë 768 metra kube në njësinë menaxhuese në Zhegovc. Është zhvilluar aktiviteti i prokurimit dhe është zgjedhur operatori dhe pritet fillimi i punëve”, thotë Ramadani.

Ndërkaq drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Sami Spahiu, tregon se gjatë periudhës janar-qershor janë evidencuar 273 raste të zjarreve. Ai shton se për të adresuar këtë lloj kërcënimi, komuna ka një kamion për intervenime teknike, që është sjellë nga jashtë si donacion.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)