Arbëri

Në Gjilan sot hapet edicioni i dytë i festivalit Angros

Foto: Koha

Në Gjilan sot do të hapet edicioni i dytë i festivalit Angros.

Sipas njoftimit nga komuna, hapja e festivalit bëhet sot në orën 17:00 dhe do të vazhdojë deri nesër në orët e mbrëmjes.

Në njoftim thuhet se kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka dhënë mbështetjen e tij për festivalin Angros, emër ky, sipas së cilit, rrjedh nga antikiteti për Lumin Morava.

“Festivali hapet sot duke shënuar kështu edicionin e dytë këtë vit të cilin e karakterizojnë gërshetimi i artit, muzikës, ushqimeve tradicionale dhe punëtori të ndryshme duke e bërë unik për këtë regjion, për mënyrën e organizimit dhe gjithpërfshirjen e pjesëmarrjes”, thuhet në njoftim.

Organizator i festivalit është Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim me “Balkan Union”, që këtë vit do të mbahet për dy ditë me radhë.

Haziri ka uruar që fillimi i këtij festivali për këtë vit të jetë i mbarë, me pjesëmarrje të gjerë të artistëve dhe pjesëmarrësve të tjerë përtej regjionit të Gjilanit.

“E uroj ekipin organizatorë për punën që po bëjnë në vazhdimësinë e festivalit. Ky është viti i dytë që po organizohet dhe do të jetë gjithnjë mbështetja që ky festival në të ardhmen edhe më tej të ketë zgjerimin e tij si në kohë, ashtu edhe në zgjerim të pjesëmarrjes në fushën e artit dhe lëmive të tjera kulturore. Gjilani është qendër e kulturës dhe ky epitet është dëshmuar me organizime të ndryshme në bashkëpunim me komunitetin e gjerë artistic”, ka thënë Haziri.

Sipas njoftimit në festival do të ketë hapësirë të mjaftueshme për fëmijë, ndërkaq për të përfunduar ditën e nesërme do të performojë grupi “Jericho”.