Arbëri

Refuzojnë shlyerjen e obligimeve ndaj Komunës, mbyllen 5 lokale hoteliere

Inspektorati komunal ka bllokuar punën e 5 lokaleve, ngase pronarët kanë refuzuar shlyerjen e obligimeve financiare ndaj Komunës, e cila ua kishte dhënë në shfrytëzim hapësirat publike.

Inspektorati Komunal të premten ka zhvilluar një aksion duke shirituar 5 kafiteri të cilat operojnë në këtë qytet. Tre nga pronarët janë detyruar që të kryejnë pagesat ndaj Komunës, kurse dy pronarë të tjerë janë në procedurë të pagesës, shkruan sot Koha Ditore.

Komunarët janë zotuar se bizneset në këtë komunë do të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe për bizneset të cilat janë të përgjegjshme në punën e tyre nuk do të ketë pengesa.

Drejtori i Shërbimeve Publike dhe i Inspektoratit, Ramadan Basha, ka deklaruar se pronarët nuk kishin bërë pagesat sipas afateve duke i detyruar që të ndërmarrin masa. Sipas tij, përfaqësuesit e këtyre bizneseve kanë kërkuar falje për mosrespektimin e organeve komunale.

Ndryshe, Zyra Kombëtare e Auditimit kishte kërkuar nga Komuna që të vendosë mekanizmat e duhur brenda një periudhe të arsyeshme dhe të inkasojë të gjitha obligimet e prapambetura dhe të iniciojë proces të rivlerësimit të llogarive të arkëtueshme, ku të gjitha llogaritë do të analizohen në kuptimin e vjetërsisë, shumave domethënëse dhe mundësive reale për inkasimin e tyre. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)