Arbëri

Tetëmbëdhjetë vendbanime të Malishevës do të bëhen me ndriçim publik

Në kuadër të realizimit të projekteve kapitale në Komunën e Malishevës, këto ditë ka filluar edhe realizimi i njërit prej projekteve të mëdha, përkatësisht rregullimi i ndriçimit publik në 18 vendbanime të kësaj komune, ku përfshihet qyteti në tërësi dhe 17 fshatra, me gjithsejtë 32 rrugë apo lagje.

Gjatë ditës së sotme dhe gjatë orëve të mbrëmjes, realizimin e këtij projekti e kanë inspektuar nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha dhe drejtori komunal për buxhet, Valon Hoti, të cilët janë ndarë të kënaqur me punimet e kryera deri më tani.

“Ne po punojmë intensivisht në realizimin e projekteve të parapara për këtë vit, e në mesin e shumë projekteve dhe investimeve, është edhe rregullimi i ndriçimit publik, i cili është i paraparë të rregullohet në disa pjesë të komunës sonë. Ndriçimi publik ka rëndësi të shumëfishtë, duke filluar nga siguria që krijohet, e po ashtu edhe lëvizja më e lehtë e qytetarëve, por edhe ngasësve të automjeteve, sidomos në vendbanime. Projekti i rregullimit të ndriçimit publik, është duke u realizuar sipas dinamikës së paraparë dhe besoj që brenda pak ditëve, të gjitha këto fshatra apo rrugë, do të jenë të ndriçuara”, tha Berisha.

Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Valon Mazreku, ka bërë të ditur, se realizimi i këtij projekti mundësohet nga buxheti Komunës së Malishevës dhe ky projekt është i paraparë në listën e investime në projektet kapitale.