Arbëri

PDK-ja dhe AAK-ja braktisin seancën e Kuvendit të Prizrenit

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit të premten me shumicë votash kanë miratuar Kornizën Afatmesme Buxhetore 2020-2022.

Votat për i kanë dhënë kuvendarët nga radhët e koalicionit qeverisës komunal, ndërkohë që opozitarët kanë lëshuar sallën në pjesën e fundit të seancës së jashtëzakonshme, në momentin që fjalën e ka marrë kryetari Mytaher Haskuka, shkruan sot “Koha Ditore”.

Paraprakisht kuvendarët nga të dy taborët kanë paraqitur pakënaqësitë e tyre lidhur me përmbajtjen e KAB-it.

Drejtori për Financa, Ertan Simitçi, para anëtarëve të KK-së ka theksuar se në bazë të KAB-it, planifikohet që buxheti i Komunës për vitin 2020 të jetë 50.9 milionë euro, për të pasuar me rritje në vitin 2021 në 52.3 milionë euro dhe në 54.2 milionë euro në vitin 2022.

“Buxheti i vitit 2020 në vlerë prej afër 51 milionë eurove, do të jetë i ndarë në 5 kategori të shpenzimeve, pagat rreth 23 milionë euro, mallra e shërbime rreth 6.7 milionë euro, shpenzime komunale afër 1 milion euro, 850 mijë euro subvencione, dhe rreth 19 milionë në investime kapitale”, ka thënë drejtori Simitçi. Ai ka sqaruar se në përpilimin e këtij dokumenti janë marrë parasysh edhe rekomandimet e Auditorit, ndërkohë që janë mbajtur edhe 8 takime me qytetarë. “KAB-i përcakton kushtet e realizimit të buxhetit. Ndryshimet mund të bëhen deri në shtator. Jemi të gatshëm me diskutua me kuvendarët për projektet konkrete që janë prioritare”, ka deklaruar Simitçi.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)