Arbëri

Njohësit e ekonomisë skeptikë se Vitia mund të bëhet me Park Industrial

Kjo parcelë prej më shumë se 15 hektarësh, brenda këtij viti mund të shndërrohet në Park Industrial.

Komuna e Vitisë është e vendosur që këtu të realizojë zonën e lirë ekonomike.

Toka, e cila lidh dy qytetet tjera, Gjilanin dhe Ferizajn, do t’i sjellë më shumë zhvillim ekonomik Vitisë, thonë zyrtarët komunalë, raporton KTV.

Në të është paraparë të operojnë biznese të industrisë përpunuese, bujqësore dhe të shërbimeve tjera.

Por, njohësit e çështjeve ekonomike vënë në pikëpyetje nëse kjo zonë do të arrijë ndonjëherë të funksionalizohet.

Ibrahim Rexhepi, duke marrë shembull Parkun Industrial në Drenas, thotë se zonat ekonomike nuk janë mekanizmi i vetëm i zhvillimit ekonomik.

Megjithatë, drejtori i Zhvillimit Ekonomik në Viti shprehet i bindur se kjo zonë do të funksionalizohet brenda këtij viti.

Zona të lira ekonomike, me një vendim të Qeverisë së Kosovës në vitin 2014, u shpallën edhe Mitrovica, Gjakova dhe Prizreni, por që nga atëherë ato ende nuk janë funksionalizuar. Në vendimin e Qeverisë thuhej se krijimi i këtyre zonave është tërheqja e investitorëve të huaj dhe atyre vendorë.

E vetmja zonë ekonomike që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka konstatuar se është funksionale, ka qenë ajo e Suharekës, por se e njëjta vetëm këtë vit ka arritur të certifikohet si zonë ekonomike nga institucionet e vendit.