Arbëri

Fabrika e ujit në Shkabaj nuk ua zgjidh problemin banorëve të Fushë Kosovës

Me ndihmën e qeverisë gjermane, u ndërtua fabrika e ujit, derisa gjysmës së qytetarëve të Fushë Kosovës iu rritën shpresat se do të kishin furnizim me ujë 24 orë pa ndërprerë. 

Por një gjë e tillë nuk ndodhi. Dhe ashtu sikurse vite me radhë hoqën keq për ujë, vazhdojnë edhe më tutje ta vuajnë mungesën e elementit kryesor për jetë. 

Dhe kjo vetëm për shkak se nuk u instalua një gyp, që lidh lagje të tëra me fabrikën e ujit. 

Problemin më të madh e kanë ata që jetojnë në katet më të larta të ndërtesave, me ç’rast furnizohen me ujë vetëm një orë brenda ditës.   

Sikurse ujin për pije, ashtu edhe atë për nevoja të tjera, e sigurojnë me mjaft vështirësi nga vende të ndryshme.  

Edhe më e rëndë bëhet situata kur këtyre banorëve, pa pasur fare ujë, u dërgohen faturat me çmime të larta, të cilat detyrohen t’i paguajnë. 

Ndërkaq, Bedri Pllana, për shkak të mungesës së ujit, është detyruar ta braktisë banesën dhe të ndërrojë tërësisht vendbanimin. 

Zyrtarë të komunës së Fushë Kosovës nuk e ndiejnë vetën përgjegjës, derisa sugjerojnë të pyetet ujësjellësi për këtë problem. 

Në kompaninë rajonale “Ujësjellësi” thonë se janë duke hartuar një projekt për vënien e një gypi, për çka po presin edhe ndihmën e qeverisë, pasi kërkohet një kosto e lartë e mjeteve.  

Para se të niste punën fabrika e ujit në Shkabaj, u tha se me funksionalizimin e saj për pesë komunat e Rajonit të Prishtinës, do të zgjidhej problemi me ujë të pijshëm.