Arbëri

Nis marshi në Mitrovicë me moton “Stop vrasjeve, ne jemi Ermali”

Në qytetin e Mitrovicës kanë filluar të mblidhen qytetarë të shumtë për marshin e organizuar për viktimën Ermal Kamberaj, i cili u vra dy ditë më parë derisa ishte në vendin e tij të punës.

Organizatorët e këtij marshi kanë thënë se qëllimi i tij është dënimi dhe ndalimi i dhunës që u ushtrua me rastin e vrasjes së Ermal Kamberajt.

Protesta ka filluar në orën 13:00 në qendër të qytetit.

“Rasti i vrasjes së të riut mitrovicas 24 vjeçar Ermal Kamberaj ka tronditur qytetin e Mitrovicës. Ata dënuan këtë krim duke kërkuar ndalimin dhe vënien para ligjit të dorasit, ndërkohë që Ermalin e njohin dhe kujtojnë si njeri të thjeshtë, të shoqërueshëm edhe shumë paqësor”, thuhet në arsyetimin e këtij marshi të organizuar nga një sërë OJQ-sh, raporton Koha.net.

“Marshi do të fillojë nga sheshi “Mehë Ukaj” dhe do të kalojë nga sheshi “Adem Jashari”, Xhamia tek tregu, tek Komuna e Mitrovicës dhe do të përfundojë në sheshin “Mehë Uka” ku pjesëmarrësit do të shpërndahen”, thuhet më tej në shkresën e OJQ-ve.

Këtij marshi do t’i bashkohet edhe kryetari i Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, i cili dje përmes një postimi në Facebook i ka ftuar gjithë qytetarët të marrin pjesë.

“Përshëndes iniciativën e OJQ-ve të Mitrovicës, të cilat për nesër në ora 13:00 kanë organizuar marsh protestues me qëllim dënimin e rastit të vrasjes së të riut Ermal Kamberaj. Unë do t’i bashkohem këtij marshi, i cii do të filloj nga sheshi “Mehë Uka” dhe do të vazhdojë te sheshi “Adem Jashari”, pastaj te Xhamia tek tregu, tek Komuna dhe do të përfundojë në sheshin “Mehë Uka”. Ky marsh protestues është veprim mjaft i qëlluar. Të gjithë qytetarët e Mitrovicës që kanë mundësi, i lus të marrin pjesë”, ka shkruar Bahtiri.

Ndërkaq, organizatorët kanë parashikuar që në përfundim të marshit të lexohet edhe një reagim protestues kundër dhunës edhe vrasjeve dhe ku do kërkohet vendosja e sundimit të ligjit dhe hapa efikas në parandalimin e dhunës dhe dukurive të këtilla në qytetin e Mitrovicës.

Organizatorët po ashtu kanë bërë me dije se për këtë marsh është njoftuar edhe stacioni policor në Mitrovicë, ndërkohë që shoqëria civile fton të gjithë qytetarët, nxënësit, studentët dhe prindërit mitrovicas që të bashkohen kësaj proteste ku do të ngritët zëri kundër dhunës edhe vrasjeve.

Ky marsh protestues është organizuar nga këto OJQ të Mitrovicës: Ad Libitum; APRFK; 7 arte; Bridge Film Fest; Community Building Mitrovica; Futja ngjyrë; KosovaArs; Mitrovicatoppress; Mundësia; Zgjatma Dorën, Mitrovica Guide, Me Dorë në Zemër, Valët e Paqes, Handikos, Shoqëria Bjeshkatare Alpiniste Trepça, Grupi i pavarur i qytetarise akrive Tjeterqysh, CECD-friends, Moto Club Hammers, KVRL, Qendra Rinore Mitrovicë, Parlamenti Studentor i Universitetit te Mitrovices "Isa Boletini" etj.


Nis marshi në Mitrovicë me moton “Stop vrasjeve... by kohanet