Arbëri

Në Prizren u vrapua në shenjë solidariteti me gratë që përjetuan dhunë seksuale

Në vitin 1999, Claire McFarlane u tërhoq zvarrë në një rrugicë të Parisit, pranë lokalit ku punonte. Ajo dhunua seksualisht, u rrah dhe u plagos me thikë.

Por, ajo mbijetoi dhe që nga ajo natë thotë se nisi luftën me paragjykimet, komplekset dhe drejtësinë franceze për të sjellë para drejtësisë atë që i shkaktoi vuajtje.

Përdhunuesi u kap vetëm 10 vjet pas ngjarjes përmes ADN-së, duke u hapur rrugë seancave nëpër gjykata, një proces që në total zgjati 16 vjet dhe përfundoi në muajin tetor të vitit 2015.

Claire ngriti një lëvizje të quajtur “Movement to Inspire”, një lëvizje botërore sportive që bën thirrje për t’i dhënë fund dhunës seksuale ndaj grave dhe vajzave, ndërsa nisma për të vrapuar quhet “Footsteps to Inspire”.

Ajo e bëri Kosovën vendin e saj të 48-të në të cilin vrapon, për t’i thënë stop dhunës seksuale.

Claire vrapoi buzë lumit Lumbardh në Prizren.

“Të flasësh për dhunën seksuale dhe përdhunimin është shumë e vështirë dhe e rëndë për njerëzit. Duke vrapuar, është një mënyrë paqësore për të biseduar lidhur me këtë çështje në një vend të sigurt, por nuk është se kemi nevojë të flasim shumë, thjesht të jemi bashkë në shenjë solidariteti”, ka thënë McFarlane.

McFarlane është njohur me historinë e dhimbshme të luftës në Kosovë dhe përjetimet e grave kosovare.

Australiania ka inkurajuar gratë kosovare që të flasin hapur për dhimbjet e tyre.

“Ka qenë një e kaluar e dhimbshme për Kosovën, e kuptoj se vetëm tani ka filluar që të flitet dhe viktimat të ndihmohen.[...] Mendoj se duhet të flasim më shumë për këtë çështje dhe të mos ndihemi të turpëruar. Gjithashtu, prej asaj çfarë kam mësuar, viktimat në Kosovë nuk kanë shumë shërbime të disponueshme dhe nëse dikush pëson dhunë seksuale sot, nuk mund të marrë shumë ndihmë. Rekomandimi im është që të t’ju drejtoheni dhe të flisni me organizatat dhe të gjeni mënyrën se si mund t’ju ndihmojnë dhe shtetit që t’i përmirësojë këto shërbime”, tha McFarlane.

McFarlane, në maratonë u mbështet edhe nga organizatat lokale, si Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës, FemAktiv si dhe Qendra për Strehimin e Grave dhe Fëmijëve të Prizrenit.