Arbëri

Podujeva i tatimon 10 mijë prona më pak se që i ka të evidentuara

Descriptive Text

Zyrtarët opozitarë të Podujevës e kanë kritikuar pushtetin e kësaj komune për paaftësi rreth realizimit të të hyrave vetjake. Sipas tyre, kjo komunë tatimon rreth 10 mijë prona më pak se që i ka të evidentuara.

Opozitarët kanë thënë se kjo është padrejtësi që u bëhet qytetarëve që e paguajnë tatimin në pronë, dhe rrjedhimisht edhe dëmtim i buxhetit komunal. Anëtari i Kryesisë se Lëvizjes Vetëvendosje-Qendra në Podujevë, Fatlum Osmani, ka thënë se mosrealizimi i të hyrave nga ana e Komunës është edhe si rezultat i mungesës së kapaciteteve qeverisëse, shkruan sot Koha Ditore.

“Lëvizja Vetëvendosje në mënyrë të vazhdueshme ka shprehur kundërshtimet dhe alternativat e saj për politikat buxhetore të pushtetit komunal. Qeverisja komunale është treguar e paaftë si në aspektin e planifikimit e të hyrave, ashtu edhe të shpenzimeve, posaçërisht të atyre kapitale. Komuna e Besianës në vazhdimësi ka rezultuar me të hyra të pakta vetjake që është si rezultat i mungesës së kapaciteteve qeverisëse të administratës komunale”, është shprehur Fatlum Osmani.

Anëtari i Kryesisë së VV-së në Podujevë ka theksuar se realizimi i 21 për qind të të hyrave për tre muaj është trend negativ.

Edhe shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK-së, Fatmir Rudari, ka thënë se Komuna e Podujevës po dështon çdo vit në realizimin e të hyrave vetjake.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)