Arbëri

Me rastin e 20 vjetorit, përkujtohen 74 shqiptarët e vrarë në Masakrën e Vushtrrisë

Në qytetin e Vushtrrisë, sot është përkujtuar njëra prej masakrave më mizore që ka ndodhur në Kosovë, ku u vranë masakruan dhe u fshehën gjurmët e krimit të 74 qytetarëve, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Përveç qytetarëve vushtrrias, në nderim të kujtimit për të rënët kanë marr pjesë edhe përfaqësuesit e institucioneve lokale, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri si dhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Conell, transmeton Koha.net.

Me rastin e shënimit të kësaj ngjarje shumë të dhimbshme, Tahiri, tha se bashkë me masakrën në fshatin Studime këto dy ngjarje janë plagët më të rënda që lufta i la qytetit të Vushtrrisë.

“Vushtrria është ndër qytetet më të goditura gjatë luftës me shumë të vrarë e të masakruar, por që edhe pas 20 viteve, kryesit e këtyre krimeve ende nuk janë dal para drejtësisë, prandaj sot edhe nga ky përkujtim kërkojmë drejtësi për të rënët”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa O’Conell, i cili sot ka takuar personalisht njerëzit e prekur nga ajo masakër para 20 viteve dhe ka folur me familjarët e të rënëve, në faqen e tij ka shkruar për përjetimin sot në Vushtrri.

“Takova sot familjet e viktimave të masakrës së 22 Majit 1999 në Vushtrri. Çdo viktimë pa dallim nëse janë shqiptarë, serb, rom, ashkali, boshnjak meritojnë drejtësi. Por më shumë se çdo gjë ata meritojnë që përjetimet e tyre te tregohen dhe të pranohen. Pajtimi fillon duke treguar dhe dëgjuar të vërtetën. Ne duhet të kujtojmë dhe pranojmë atë se çka ka ndodhë në Kosovë. Unë isha i prekur me atë se çka më tha sot një grua që kishte humbur vëllanë: ‘Ne nuk duam hakmarrje. Ne dëshirojmë drejtësi, që kjo mos të ndodhë më kurrë’”, ka thënë O’Conell.