Arbëri

Nënshkruhet kontrata për zgjerimin e rrugës kryesore të Deçanit

Me nënshkrimin e kontratës nga Komuna e Deçanit me operatorin fitues të projektit në vlerë prej rreth 6 milionë eurosh, të enjten i është hapur rruga realizmit të projektit për zgjerimin e rrugës kryesore të Deçanit, që shtrihet në segmentet rrugore të rrugëve “Dëshmorët e kombit” dhe “Luan Haradinaj”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ky projekt konsiderohet nga komuna si një projekt i rëndësishëm kapital, me të cilin zgjerim pritet të eliminohen problemet e mëdha të trafikut në këtë rrugë nga hyrja në Deçan nga Peja deri në dalje të Deçanit në drejtim të Gjakovës.

“Qyteti i Deçanit meriton të ketë një infrastrukturë rrugore më të mirë, do të krijojmë qarkullim më të lehtë për qytetarët po ashtu gjatë sezonit veror besoj se nuk do të krijohet më tollovi në komunikacion. Bashkë me Drejtorinë e Shërbimeve Publike kemi përgatitur edhe një hartë orientuese ku qytetarët do të kenë mundësinë t’i shfrytëzojnë edhe rrugët dytësore gjatë punimeve në mënyrë që të mos pengohen punimet dhe besoj që nuk do të ketë pengesa në zbatimin e këtij projekti nga qytetarët, sepse kjo rrugë do të jetë zgjidhje jetike për qytetin e Deçanit”, tha kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, pas nënshkrimit të kontratës me përfaqësuesit e operatorit të përzgjedhur.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)