Arbëri

Veseli për fushatë i kthehet fjalisë se “ka vetëm një Mitrovicë”

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i është kthyer fjalisë se “ka vetëm një Mitrovicë”, në hapjen e fushatës për zgjedhjet lokale në Mitrovicën e Veriut.

Bashkë me kandidaten për kryetare të kësaj komune, Gonxhe Çaushi, Veseli tha se Mitrovicë do të jetë gjithmonë një edhe pse tash ka dy njësi administrative.

“Jemi të gjithë për Mitrovicën. Mitrovica është e Kosovës dhe Mitrovica është një. Ajo për çfarë duhet të gjithë të angazhohemi është me arrit një prosperitet më të mirë, komunikim më të mirë, për faktin se sa më mirë të jetojnë qytetarët në Mitrovicë, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe gjithandej, aq më mirë do t’i ketë punët edhe shteti ynë i pavarur dhe sovran. Shqiptarët duhet me qenë sa më të bashkuar dhe sa më unikë, me përdorë edhe këtë mundësi të cilën e ka krijuar fushata zgjedhore dhe jo me u nda mes vete”, ka deklaruar Veseli, sipas njoftimit nga PDK-ja.

Ai tregoi edhe pse kanë vendosur të garojnë për të synuar komunat në veri të Kosovës. Sipas tij, me këtë kanë dashur të përçojnë një mesazh për gjithë qytetarët e Kosovës.

“Kemi vendosur kandidatët tonë për arsye se kemi dashur të përçojmë një mesazh i cili është i drejtpërdrejtë. Kosova për ne është njëjtë çdo kund dhe PDK-ja konkurron çdo kund me përgjegjësitë e veta që ka para qytetarëve. Kur them para qytetarëve nuk po flas vetëm për shqiptarët por të gjithë pa dallim”, ka thënë Veseli.

Veseli tha se do të vazhdojë iniciativa e nisur më herët e që kishte mbetur në gjysmë, për rindërtimin e gjitha shtëpive të djegura gjatë luftës në veri, për t’u mundësuar qytetarëve kthimin në pronat e tyre. Sipas njoftimit, përfaqësuesi i lagjes “Kroi i Vitakut”, Nazmi Ismajli ka thënë se “PDK-ja është i vetmi subjekt që ka kontribuuar në rindërtimin e shtëpive dhe kthimin e shqiptarëve në atë pjesë”,

Zgjedhjet në katër komunat e veriut mbahen më 19 maj.