Arbëri

Obiliqi paralajmëron padi dhe protesta ndaj KEK-ut për mos-respektimit të Ligjit

Foto: Komuna e Obiliqit / FB

Kuvendi Komunal i Obiliqit të martën do të mbajë seancë të jashtëzakonshme, prej ku pritet të dalë me rekomandime që pastaj të ngre padi kundër KEK-ut. Por para kësaj seance, kryetari i Obiliqit ka mbledhur banorët e Hades dhe Shipitullës për të marrë edhe rekomandimet e tyre lidhur me problemet me KEK-un, që siç tha Xhafer Gashi, po bën shpërfillje të tërësishme të qytetarëve të Obiliqit në punësim, nuk po e respekton Ligjin për Obiliqin e në theks të veçantë po e shpërfill vendimin e Qeverisë të datës 12.02.2019 për hapjen e procedurave të punësimit për banorët e shpronësuar të fshatit Hade dhe Shipitullë në KEK.

Të shtunën, në takimin që Gashi pati me banorët e fshatrave Shipitullë dhe Hade, tha se KEK-u po bënë shkelje të mëdha në çështjen e punësimit.

“Të martën planifikojmë të mbajmë një seancë të jashtëzakonshme, me qëllim që me nxjerr rekomandime për me padit KEK-un për mos implementimin e Ligjit për Obiliqin, dhe së fundi për shkeljet e mëdha që po i bën rreth çështjes së punësimit. Qëllimi ynë është me ngritë shqetësimin e qytetarëve bashkërisht me ju, edhe njëherë nga fillimi për të vetmen arsye, jo me ja mohu të drejtën dikujt tjetër, por të implementohet ajo që është paraparë dhe ajo që është thënë”, tha ai, raporton Ksp.

Gashi tha se do të fillojë si institucion komunal me padi dhe se planifikon të bisedojë edhe me Avokatin e Popullit.

Madje, ai bëri të ditur se Komuna do t’ju shkruajë edhe ambasadorëve të vendeve të QUINT-it.

“Do u shkruajmë edhe ambasadorëve të QUINT-it ta kuptojnë edhe ata çfarë po ndodh në këtë zonë. Mos të ketë keqkuptime se ne po duam ta bëjmë vetëm sepse po mundemi ta bëjmë, thjesht ne po duam të bëjmë sepse kemi nevojë t’i mbrojmë të drejtat tona, kemi nevojë të krijojmë mundësi dhe favore për qytetarët tonë, këtë na e lejon edhe Ligji për Obiliqin. Të mërkurën do të dalim me një konkluzion nga Kuvendi, përveç këto që i përmenda, do të shohim cila do të jetë dita e fundit që nëse KEK-u nuk i realizon premtimet në këtë rast, bashkë me ministrinë e Qeverinë, ne do të përdorim edhe situata tjera si protestat”, tha ai.

Gashi tha se padia do të bëhet për mos respektim të marrëveshjeve të përbashkëta.

Sipas tij, ka raste kur aplikuesit nuk janë ftuar as në intervistë. Ai u bëri thirrje banorëve që të bëjnë ankesa brenda afateve ligjore, sa i përket çështjes së punësimit.

Sali Grajçevci, që përfaqësonte banorët e Hades, tha se janë të gatshëm për çfarëdo veprimi, edhe për protesta.

Shaban Kransiqi, përfaqësues i banorëve të fshatit Shipitullë, tha se nuk po implementohen marrëveshjet e arritura, andaj, sipas tij, nuk duhet të bëhen lëshime më.

“Jo vetëm për punësim, janë edhe kërkesa tjera. Ne për hir të Ramush Haradinajt kemi lëshuar pe, por ju për hir të askujt mos lëshoni sepse digjeni sikur ne”, tha ai.

Më 12 shkurt është nxjerr vendim nga Qeveria për formimin e komisionit të përbashkët, KEK-u, Komuna e Obiliqit dhe përfaqësues të fshatrave Hade dhe Shipitullë, ku kryetari i Obiliqit tha se komisioni e ka kryer punën duke nxjerr vendimin që të shpallet konkursi për pranimin e 100 punëtorëve nga Shipitulla dhe Hadja, por që i njëjti nuk po zbatohet.