Arbëri

Tri fshatra të Ferizajt nuk janë lidhur kurrë në rrjetin e ujësjellësit, hapja e puseve alternativa e vetme e banorëve

Banorët e tri fshatrave të Ferizajt ende përballen me mungesë të ujësjellësit. Ata kanë hapur puse për të bërë një zgjidhje, por kanë frikë se mund të helmohen nga papastërtia e ujit në to.

Tri fshatrat e Ferizajt, Zllatar, Dardani e Sojevë, nuk kanë fare rrjet të ujësjellësit dhe kanë probleme të mëdha me ujë të pijes.

Hapja e puseve nga vetë banorët ka qenë alternativa e vetme, raporton KTV.

Por, banorët tregojnë se uji i puseve nuk është testuar asnjëherë dhe ka ndikuar në shëndetin e tyre.

Në qendrën e fshatit Zllatar janë hapur puse edhe më të mëdha, në mënyrë që qasje në ujë të kenë edhe banorët tjerë që nuk kanë pasur mundësi t’i hapin vetë ato.

Përfaqësuesi i fshatit tregon se vazhdimisht e kanë alarmuar komunën e Ferizajt për këtë, por nuk u ka bërë kurrë zgjidhje.

E, drejtori i Infrastrukturës në Ferizaj thotë se shumë shpejt do të zgjidhjet kjo çështje pasi me një kredi nga Qeveria Austriake, do të fillojë ndërtimi i fabrikës së ujit në fshatin Talinoc, prej ku me ujë të pijshëm do të furnizohen edhe fshatrat që e kanë këtë problem.

Banorët e fshatrave Zllatar, Dardani e Sojevë nuk kanë pasur asnjëherë ujë të pijshëm dhe nuk kanë qenë kurrë të përfshirë në sistemin publik të ujësjellësit.