Arbëri

Lëshohet në qarkullim tuneli i rinovuar në Mitrovicë

Është përuruar sot në Mitrovicë tuneli i rinovuar në hyrje të këtij qyteti i gjatë 250 metra dhe me kosto rreth 380 mijë euro, ndërsa për të përfunduar punimet në rinovimin e tij për shkak të dëmtimeve që ishin bërë, u deshën gati gjashtë muaj.

Zëvendësministri i Infrastrukturës Rexhep Kadriu, u shpreh i lumtur për shkak se siç tha ai, pas zvarritjeve të punëve për një kohë, sot ky tunel po lëshohet në qarkullim.

Sipas tij, është bërë një punë e cila vërtetë ka qenë e domosdoshme për qytetin e Mitrovicës dhe qytetarët e saj.

“Sot bashkë me kryetarin dhe kabinetin po inaugurojmë përfundimin e punimeve në tunelin e Mitrovicës, një punë e cila realisht ka qenë e domosdoshme për komunën e Mitrovicës dhe qytetarët e saj dhe të gjithë atyre qytetarëve të cilët e frekuentojnë këtë tunel. Ky tunel ka qenë i degraduar dhe mbi 50 vite nuk është investuar. Pas zvarritjeve një kohë të punëve në përfundimin e këtij tuneli, sot veç jam i lumtur që po e lëshojmë në qarkullim sepse realisht ka pasur pengesa të mëdha edhe për qytetarët”, ka thënë Kadriu, raporton ksp.

Ndërsa, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka bërë të ditur se qyteti ka qenë i stërngarkuar gjatë kohës derisa janë zhvilluar punimet në këtë tunel. Ai potencoi se është mirë që tuneli ka përfunduar pikërisht në kohën kur pritet ardhja e mërgimtarëve nga diaspora.

Duke falënderuar ministrinë e Infrastrukturës dhe ministrin Lekaj, ai ka arsyetuar edhe vonesën e punimeve, duke thënë se ka qenë e pamundur të realizohen shumë punë për një kohë kaq të shkurtër.

“Është koha shumë e shkurtër, tash na vinë edhe mërgimtarët nga diaspora, ne kemi shpejtuar këtë proces që të kemi një tunel që vazhdon rrugën për Zubin Potok dhe që lidhë kufirin edhe me Serbinë. Kështu që kemi pasur shumë ngarkesë në qytetin e Mitrovicës, megjithatë falënderojmë ministrinë dhe ministrin, i cili ka bërë një punë të shkëlqyeshme, e cila pak është vonuar, por tuneli pret shumë gjëra me bë dhe ne nuk mundemi t’i riparojmë të gjitha për një kohë kaq të shkurtër”, tha ai.

Ndryshe, ky tunel konsiderohet si një nga arteriet kryesore të qytetit të Mitrovicës, pasi mundëson hyrje-daljet në drejtim të kryeqytetit dhe disa vendeve tjera, si dhe lidh rrugën nacionale N-2, përkatësisht segmentin Mitrovicë-Qabër, në drejtim të kufirit të Bërnjakut.