Arbëri

Mbyllet për dhjetë ditë rruga lokale Gajre-Ivajë-Shtrazë

Pas një varg kërkesash dhe ankesash nga banorët e fshatrave Gajre-Ivajë-Shtrazë të Komunës së Kaçanikut, kompania “Bechtel-Enka”, të hënën, ka nisur rehabilitimin e rrugës kryesore, të cilën e ka dëmtuar vetë gjatë ndërtimit të autostradës “Arbën Xhaferi”.

Ky aks rrugor do të mbetet i bllokuar prej dhjetë ditësh derisa të finalizohet i gjithë projekti, ndërkohë banorët gjatë kësaj periudhe kohore duhet t’i shfrytëzojnë rrugët alternative prej afro 40 kilometrash nëpër fshatrat Strazhë-Dubravë-Doganaj, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas banorëve, kjo rrugë është dashur të asfaltohej gjatë vitit të kaluar, mirëpo kompania “Bechtel-Enka” nuk ka pranuar ta nënshkruajë një marrëveshje me kohë për rehabilitimin e kësaj rruge. Banorët kanë thënë se pas ankesave të vazhdueshme, niveli qendror e ka obliguar kompaninë t’i kthejë në gjendjen e mëparshme rrugët lokale nëpër komuna.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)