Arbëri

Çaushi premton shuarjen përgjithmonë të strukturave ilegale në veri

Kandidatja për kryetare të komunës së Mitrovicës Veriore nga radhët e PDK-së, Gonxhe Çaushi, ka bërë të ditur se sfidat, problemet dhe kërkesat me të cilat po ballafaqohen qytetarët e veriut të Mitrovicës, e kanë shtyrë atë që të kandidojë për kryetare të Mitrovicës Veriore në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 19 maj të këtij viti.

Ajo në një intervistë për KosovaPress, thotë se programi i saj qeverisës përfshinë ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve të asaj pjese të cilat u shkatërruan gjatë luftës, zhvillimin e infrastrukturës, bursat për studentë, dhe të ngjashme, ndërsa potencoi kthimin e banorëve shqiptarë të shpërngulur nga pronat e tyre, si hap të parë në realizimin e programit të saj qeverisës.

Çaushi situatën aktuale të sigurisë në veri të Mitrovicës e ka përshkruar kryesisht të qetë, ndonëse ka përmendur disa incidente të vogla, për të cilat tha se janë të izoluara.

“Arsyet që më kanë shtyrë për të qeverisur me Mitrovicën e veriut janë se duke parë problematikat dhe kërkesat e qytetarëve në atë pjesë, pjesë e të cilëve jam edhe unë, kjo më ka shtyrë që unë të jem një krah mbështetës i tyre dhe t’i përfaqësojë në mënyrën më të mirë të mundshme qytetarët e mi. Prioriteti im kryesor është kthimi dhe rindërtimi i shtëpive për banorët e Mitrovicës së Veriut të cilët janë të shpërngulur tash e 20 vite”, ka thënë Çaushi.

Sa i përket bashkëpunimit me komunitetin serb, ajo tha se po tentohet të punohet për raporte të mira, gjithnjë për shkak të interesit të qytetarëve, edhe pse siç u shpreh ajo, interesimi nga pala tjetër nuk është se ka reflektuar shumë në këtë situatë.

Sipas saj, duhet të punohet shumë për shuarjen e strukturave ilegale në atë pjesë, për t’i bindur ata se duhet të respektohen ligjet dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Ajo premtoi se do të gjejë forma dhe mënyra që këto struktura të shuhen njëherë e përgjithmonë.

“Kemi provuar që marrëdhëniet tona të jenë në baza të mirëqenies për të gjithë qytetarët që jetojnë në atë pjesë, mirëpo interesimi i tyre nuk është se ka reflektuar shumë në këtë situatë. Megjithatë, tentojmë të kemi marrëdhënie të mira për shkak të interesit të qytetarëve. Për strukturat ilegale serbe në atë pjesë duhet të punohet shumë për arsye se ata duhet ta dinë njëherë e përgjithmonë se duhet t’i përgjigjen ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe t’i respektojnë ligjet dhe shtetin e Kosovës. Do të punojë maksimalisht që të gjej forma dhe mënyra që këto struktura njëherë e përgjithmonë të shuhen”, theksoi Çaushi.

Duke u shprehur optimiste për fitoren e saj në zgjedhjet e 19 majit, kandidatja për kryetare Çaushi, potencoi se do të ishte më mirë që shqiptarët të garonin në këto zgjedhje të bashkuar dhe me një kandidat të vetëm.

Çaushi tha se gjatë fushatës, por edhe ditën e zgjedhjeve, gjithçka do të shkoj ashtu siç duhet dhe pa probleme, derisa ka porositur qytetarët që të dalin në numër sa më të madh për të votuar atë ditë.

“Po optimizmi është gjithmonë, ndryshe nuk do të kisha garuar, por megjithatë ka qenë më mirë që shqiptarët të dalin me një kandidat të vetëm, meqë unë kam qenë e para që kam shpallur kandidaturën time, atëherë do të ishte më mirë sikur të isha vetëm unë në këtë pjesë”, u shpreh Çaushi.

Gonxhe Çaushi ka lindur më 1 mars 1992 në veri të Mitrovicës, master i ekonomisë, e cila punon si këshilltare në Ministrinë e Inovacionit, njëherësh këshilltare në Kuvendin Komunal në veri të Mitrovicës.