Arbëri

Në Raushiq të Pejës nxënësve u kërkohen para për gëlqerosje të shkollës

Shumën prej 1 deri në 10 euro, varësisht prej mundësive ekonomike, nxënësve do t’u duhet t’i dërgojnë në shkollë.

Këtë ua kanë kërkuar mësimdhënësit e shkollës “28 Nëntori” në Raushiq të Pejës.

Siç u kanë thënë ata, mbledhja e të hollave bëhet për nevojat e shkollës, si për gëlqerosje dhe për blerjen e luleve.

Këtë e kanë konfirmuar edhe disa prej prindërve, të cilët nuk kanë dashur të flasin para kamerës, raporton KTV.

Sipas tyre, është e palogjikshme që fëmijëve të tyre t’u kërkohen para për nevoja të shkollës.

Këtë nuk e përkrahin as banorët e fshatit.

E, drejtoresha e shkollës, Florentina Ademaj – Fetahaj, mohon një gjë të tillë.

Ajo tregon se kanë nisur një projekt për lyerjen e shkollës dhe pjesë e tij është që prindërit të ndihmojnë në lyerje por jo të japin para.

Megjithatë, thotë se do ta shqyrtojë këtë brengë të fëmijëve dhe prindërve.

Shkolla në Raushiq, së bashku me 2 paralele në Lubeniq dhe Zllapek të Pejës, ka 407 nxënës.