Arbëri

VV: Rruga e keqqeverisjes e cila i kushtoi 1 milion euro Komunës së Podujevës

Descriptive Text

Fitim Muçolli, këshilltar komunal i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Podujevës, ka lëshuar kritika të ashpra ndaj udhëheqësisë së kësaj komune.

Muçolli thotë se nga raporti financiar i vitit 2018 edhe njëherë u dokumentua se ka një nivel të lartë të keqqeverisjes dhe se “shifrat e bëra publike nga ky raport nuk flasin, ato bërtasin”.

Ai thotë se disa nga projektet më të mëdha infrastrukturore të Komunës së Podujevës, përveç faktit se i kanë kushtuar miliona euro, as sot nuk janë të finalizuara.

Një ndër to, Muçolli thotë se është edhe projekti “Ndërtimi i sheshit ‘Sheshi i dëshmorëve’ Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Ilir Konushefci, Ali Ajeti” në qendër të qytetit.

“Në projektin në fjalë ishin të planifikuara mjete buxhetore nga granti qeveritar 950,000 € dhe nga të hyrat vetjake 50,000 €, shuma e përgjithshme e projektit arrin 1 milion euro. Si përfundim sheshi nuk u ndërtua. Në shtator të vitit 2018 nga buxheti i lartcekur i projektit ‘Sheshi i Dëshmorëve’ rialokohen mjete buxhetore që arrijnë shumën 703,700€ në kodin 44621 zgjerimi, ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës ‘Zahir Pajaziti’ dhe rrugës ‘Skënderbeu’ në qytet me tërë infrastrukturën përcjellëse. Po në të njëjtin projekt në kornizën afatmesme buxhetore për vitin 2018-2021 ishin të planifikuara 304,499 € shuma e përgjithshme e projektit arrin 1,008,199 € ku prej kësaj shume janë shpenzuar vetëm 316,550 €, pjesa tjetër ka mbetur suficit”, ka thënë asamblisti i VV-së, Fitim Muçolli.

Ai thotë se nga këtu shihet qartë se “kjo keqqeverisje dhe ky keqmenaxhim i ka humbur buxhet Komunës së Podujevës mbi gjysmë milion euro”.

“Buxhetimi i këtillë është keqqeverisje, shpenzimi i këtillë është krim i dyfishtë qeverisjeje”, ka thënë ai në fund të reagimit.