Arbëri

Në Skenderaj ndahen 164 bursa për studentë, Jashari thotë se ikja e të rinjve është rrezik i madh për Kosovën

Descriptive Text

Në Komunën e Skenderajt të shtunën është nënshkruar marrëveshja për ndarjen e 164 bursave për 164 studentë të kësaj komune.

Sipas një njoftimi dërguar medieve, marrëveshja është nënshkruar mes kryetarit Bekim Jashari dhe studentëve, të cilët për marrjen e bursave janë përzgjedhur nga një komision i Drejtorisë Komunale të Arsimit.

Jashari, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, ka thënë se qeveria lokale e ka prioritet modernizimin dhe përkrahjen e arsimit.

“Sot, më të drejt presim shumë nga ju, ngase ju jeni absolutisht e ardhmja e shtetit dhe shtylla kryesore e zhvillimit të vendit tonë”, ka thënë ai.

Shumën prej 500 euro që do i marrin studentët ai e ka quajtur simbolike, mirëpo sipas tij është shenjë e interesimit që Komuna ka për ta.

Jashari ndër të tjera ka premtuar se vitin e ardhshëm do të ketë numër më të madh të studentëve të cilët do të jenë përfitues të bursave.

Kreu i Komunës ka folur edhe për fenomenin e ikjes së të rinjve derisa ka deklaruar se kjo paraqet rrezikun më të madh për të ardhmen e Kosovës.

Për ikjen e tyre, ai ka thënë se duhet të fajësohen të gjithë nga pak, por më shumë ata që kanë fuqi më të madhe për ndryshime rrënjësore të politikave të punësimit.