Arbëri

Zona ekonomike në afërsi të autostradës së Gjilanit

Pushteti komunal i Gjilanit planifikon që zona ekonomike të shtrihet në afërsi të autostradës së Gjilanit, e cila është në ndërtim e sipër. Komunarët kanë deklaruar se do të kërkojnë ndihmën e Qeverisë së Kosovës për mbulimin e shpenzimeve për shpronësimet gjersa kanë deklaruar se hisedar në këtë zonë ekonomike do të jetë edhe Komuna e Novobërdës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Këtë ide të Komunës po e kundërshtojnë fuqishëm ish-zyrtarët komunalë të Gjilanit, të cilët po vlerësojnë se pushteti komunal është duke e zhytur edhe më shumë Komunën në borxhe për shpronësimet. Ata vlerësojnë se PDK-ja kishte dhënë versionin për zonën ekonomike në zonën e Llabjanit me një sipërfaqe prej afro 70 hektarë tokë, ku përqindja më e madhe është pronë publike.

Mirëpo, Komuna insiston se duhet të gjendet një zgjidhje me qëllim të krijimit të zonës ekonomike, ngase, sipas tyre, Ministria e Tregtisë është zotuar se do ta financojë këtë projekt.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, deklaron se ata janë duke negociuar me Komunën e Novobërdës që të kenë një zonë ekonomike të përbashkët.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)