Arbëri

Në 20 vjetorin e rënies së Agim Ramadanit në Gjilan mbillen drunj dekorativ

Në kuadër të aksionit “Ta Pastrojmë Gjilanin”, kryetari i Komunës me bashkëpunëtorët ka mbjellë drunj dekorativ në qendër të qytetit.

Kreu Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se Komuna çdo dëshmori do t’ia dedikojë një fidan këtë vit.

“Në ditën e rënies heroike të Agim Ramadanit dhe në 20-vjetorin e Betejës së Zhegocit, ne po e fillojmë aksionin e madh për pastrimin dhe gjelbërimin e Gjilanit, mbjelljen e fidanëve e luleve. Çdo dëshmori do t’ia dedikojmë një fidan këtë vit dhe natyrisht ftoj qytetarët që të solidarizohen në emër të tyre dhe familjeve të tyre që të na bashkëngjiten ne këtë aksion”, ka thënë Haziri.

kuadër të këtij aksioni, i pari i gjilanasve ka paralajmëruar se do të largohen të gjitha llojet e deponive ilegale.

“Ne pretendojmë që të jemi qytet i gjelbër dhe ne jemi në rrjetin e qyteteve të mençura si pjesë e rrjetit global Smart City. Po ashtu, jemi duke investuar shumë edhe në efiçiencë të energjisë. Gjatë mbrëmjes, ndërmarrjet publike komunale do të vazhdojnë me pastrim, largimin e deponive ilegale dhe të çdo lloj mbeturine në qytetin tonë dhe fshatra. Faza e dytë do të implementohet në muajin shtator dhe tetor”, theksoi Haziri.

Ndryshe, të mërkurën me vendim të kryetarit Haziri, Komuna e Gjilanit do të vazhdoj aksionin “Ta pastrojmë Gjilanin” deri më 20 qershor, së bashku me të gjitha institucionet në nivelin lokal, duke përfshirë këtu shkollat, institucionet shëndetësore, kompanitë regjionale, FSK-në, zjarrfikësit. ​