Arbëri

Me partneritetin kosovaro-kanadez hapet fabrika e plehrave artificiale

Në Gjilan, të hënën, është hapur fabrika e parë e prodhimit të plehrave artificiale që është një bashkëpunim i biznesit vendor me një biznes kanadez, të specializuar në këtë fushë. Në përurimin e fabrikës kanë marrë pjesë ambasadori kanadez, Daniel Maksymiuk, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, si dhe përfaqësuesit e biznesit kosovar-kanadez “NutriVida”.

Ambasadori i Kanadasë, Maksymiuk, është shprehur i lumtur me përurimin e fabrikës së plehrave artificiale ngase, sipas tij, me këtë veprim është hapur një shteg i ri që do të ndikojë në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve në Kosovë dhe bizneseve në Kanada. Ai ka folur edhe për pengesat të cilat kanë vështirësuar procesin e hapjes së fabrikës meqë shteti i Kosovës kishte mungesë të bazës ligjore sa i përket prodhimit të plehrave artificiale, dhe se për krijimin e kësaj baze është dashur që të presin tre vjet.

“Kosova është vend i ri, i cili është duke ndërtuar institucionet e saj dhe nuk kishte rregulla për prodhimin e plehrave artificiale. Dhe ka qenë e domosdoshme që të krijohen rregullat në mënyrë që të fillohet me biznesin. Me optimizmin e Albanit dhe Melihates është bërë e mundur kjo. Para tre vjetësh kam dëgjuar për projektin dhe kemi vendosur që të ndihmojmë, sepse kjo është puna jonë që të mbështesim tregtinë ndërmjet Kanadasë dhe Kosovës. Megjithatë, asnjëherë nuk kisha dëgjuar ide të tilla dhe jemi munduar që t’i mbështesim ata në çdo fazë të procesit. Jam i lumtur për shkak se është një hap tutje në marrëdhëniet në biznes Kosovë-Kanada”, ka thënë ai.

Kurse kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka deklaruar se banorët e Komunës së Gjilanit do të blejnë produktet e fabrikës të cilat janë të sigurta për bimët.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)