Arbëri

Përkujtohen me homazhe 31 të rënët në Opterushë, familjarët kërkojnë drejtësi për ta

Tetë anëtarët e familjes së Naim Spahiut nga Opterusha e Rahovecit, u vranë mizorisht nga forcat paramilitare serbe gjatë luftës.

Forcat e armatosura serbe, nuk kanë kursyer asnjë person që kanë hasur në shtëpi, madje as fëmijët, raporton KTV.

Naimi tregon se si u shua familja e xhaxhait të tij, ndonëse ndien mall e dhimbje të madhe kur kujton momentet e fundit të tyre.

Spahiu thotë se institucionet nuk kanë punuar mjaftueshëm për zbardhjen e fatit të 4 të pagjeturve të kësaj ane.

Shaqir Bytyqi, në duar mban fotografitë e veshjes së vëllait të tij të vrarë.

Me lot kujton se si e përjetoi momentin kur po shihte se si një ushtar serb po e merrte vëllanë e tij për ekzekutim.

Me tre plumba, vëllanë ia vranë në praninë e tij.

Këto 20 vjet nuk ishin të lehta as për Nasibe Bytyqin, të cilës, gjatë luftës, forcat serbe ia vranë babanë.

31 persona nga fshati Opterushë e Rahovecit u vranë, 5 prej tyre ranë dëshmorë, derisa 4 prej tyre vazhdojnë të mbesin të zhdukur.

Në nderim të tyre, erdhën shumë familjarë.

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, tha se gjaku i të rënëve të Opterushës u bë shkak që sot Kosova është e lirë.

Ndër viktimat në Opterushë janë edhe këta fëmijë, për të cilët banorët janë duke kërkuar drejtësi tash e 20 vjet.