Arbëri

Rugovasit kërkojnë riparimin e rrugës Pejë-Kuqishtë

Banorët e trevës së Rugovës prej disa vjetësh po kërkojnë riparimin e rrugës Pejë- Kuqishtë, porse pushteti ende nuk e ka bërë asnjë intervenim.

“Kjo rrugë ka rëndësi jetësore për zhvillimin e kësaj treve. Prandaj prioritet për neve si banorë është rindërtimi dhe zgjerimi i rrugës nga Peja deri në Kuqishtë. Kështu si është dhe nëse nuk rindërtohet, po humb koha, turizmi, durimi, zhvillimi...”, përcjell ankesat e bashkëqytetarëve të tij Agron Nikçi, kryetari i njërës prej dy bashkësive territoriale në Rugovë. Problem tjetër pse rugovasit kërkojnë gjithsesi rindërtimin e kësaj rruge nga themeli i saj, është edhe rrezikshmëria e shtuar për jetën e qytetarëve nga rrëshqitja e dheut dhe gurëve, transmeton Koha Ditore.

“Nuk kalon një vit e që nuk regjistrohet ndonjë aksident dhe lëndime nga këto rrëshqitje. Kjo është shqetësuese për neve, sepse nuk ke siguri që nuk goditesh prej ndonjë guri apo cope shkëmbi që rrokulliset në rrugë”, tregon Nikçi rrezikun që çdo vit e më tepër po rritet në këtë rrugë kryesore në Rugovë.

Shqetësimet dhe ankesat për gjendjen e kësaj rruge nuk dëgjohen vetëm prej banorëve të Rugovës, që frekuentojnë më së tepërmi në këtë rrugë, por edhe nga vetë Komuna e Pejës.

“Në rrugën për Rugovë duhet të ndërmerret diçka. Ajo është në gjendje shumë të keqe. Është mase e nevojshme të investohet në atë arterie kryesore rrugore, duke marrë parasysh investimet që po bëhen nga Komuna në rrugët lokale në fshatrat e Rugovës. Ministria e ka obligim që të intervenohet në atë rrugë, sepse është përgjegjësi e saj”, thotë drejtoresha për Shërbime Publike, Xhevahire Çeku-Kelmendi.

Për asfaltimin e disa rrugëve lokale në Rugovë, këtë muaj Ministria e Infrastrukturës iu ka përgjigjur pozitivisht kërkesës së kësaj komune, me ndarjen e 1 milion e 120 mijë euro për tetë projekte rrugore lokale, prej të cilave shtatë janë vetëm në trevën e Rugovës. Mirëpo për rindërtimin e rrugës kryesore, siç kërkojnë banorët, nuk figuron asnjë cent në këtë listë.....

(Më gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")