Arbëri

Vetëvendosje thotë se në Gjilan po emërtohen rrugë e sheshe për përfitime materiale

Dega në Gjilan e Lëvizjes Vetëvendosje po thotë të ketë parë lëvizje të përmendoreve të dëshmorëve të kombit për përfitime materiale. I ka cilësuar të papranueshme.

“Dështimet e njëpasnjëshme të qeverisjes së Lutfi Hazirit dhe mos realizimin e premtimeve elektorale, Luta po mundohet ta kompensojë, në fund të mandatit qeverisës, me emërtime pa kritere, pa arsyetime të propozimeve dhe mbi baza partiake e farefisnore për përfitime politike, tani kur ka vendos të rikandidohet edhe njëherë për të parin e Komunën së Gjilanit”, thuhet në njoftim.

“Për ne qytetarët e Gjilanit është e papranueshme që të propozohen dhe miratohen emra të cilët nuk i plotësojnë kriteret elementare për të emërtuar rrugë të vendbanimeve të komunës së Gjilanit. Këtu bëhet fjalë për emrat të cilët bazë për propozim i kanë përcaktimin partiak ose përkatësin farefisnore. Për ne është tërësisht e papranueshme ideja e lëvizjes së shtatores së Dëshmorëve të Kombit Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, me arsyetimin se trualli mbi të cilin është vendosur shtatorja është pronë private. Po ia përkujtojmë Lutës dhe këshilltarëve Komunal se shtatorja është vendosur në atë vend ku gjendet aktualisht, me vendim të Kuvendit Komunal të Gjilanit, në pronë publike. Këmbimi i ati trualli me një sipërfaqe tjetër nga ish - komunarët është shembull i pa presedan dhe tërësisht i papranueshëm. Ne ja përkujtojmë Lutës dhe këshilltarëve komunal se një tentativë e tillë është penguar nga qytetarët para pesë viteve. Ne kërkojmë fillimin e procedurave të kthimit të këtij trualli në pronë publike, ashtu si ka qenë deri para pesë - gjashtë viteve”, thuhet më tej aty.

Vetëvendosje thotë se caktimi i shesheve për vendosjen e dhjetë shtatoreve ose busteve nga një komision jo kompetent dhe në fund të mandatit të qeverisë komunale është edhe i pa nevojshëm edhe i papranueshëm.

“Duke e pas parasysh se për këto çështje të ndjeshme nevojitet konsensus qytetar, profesional dhe politik, e konsensusi nuk është arrit në asnjërin nivel të përmendur më lart nga këshilltarët komunalë kërkojmë: Të mos i aprovojnë propozimet për emërtimin e rrugëve pa arsyetim me shkrim për secilin propozim dhe aprovimin konsensual të propozimit nga komisioni, i cili për bazë duhet t’i ketë kriteret e aprovuara paraprakisht; Të mos e aprovojë lëvizjen e shtatoreve të Dëshmorëve të kombit Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha dhe t’i fillojë procedurat e kthimit në pronë publike të truallit mbi të cilin gjendet shtatorja; Të mos e aprovon përcaktimin e hapësirave në të cilat do të vendosen personalitete të caktuara nga një komision jo kompetent sepse vlerësimi i personaliteteve nuk është punë e inxhinierëve dhe se nuk është e nevojshme që kjo përbërje, në fund të mandatit të saj, të vendos për të gjitha sheshet e dhe personalitetet e kësaj treve”.

“Në fund duhet t’ua bëjmë me dije se mos përmbushja e kërkesave tona do të nxitë reagime të qytetarëve, kurse ju do ta merrni përgjegjësinë për tensionimin e situatës”, thotë Vetëvendosje.