Arbëri

UNMIK-u lavdëron punën e Komitetit të Komuniteteve në Gjilan

Komiteti për Komunitete i Gjilanit ka mbajtur takimin e radhës në selinë e UNMIK-ut në Prishtinë. Në mbledhje ishte i pranishëm edhe shefi i Zyrës, Zahir Tanin. Ai u shpreh i kënaqur me nivelin e bashkëpunimit të komuniteteve në Gjilan.

Gjatë një vizite në Gjilan, para disa ditësh, Zahir Tanin kishte kërkuar nga kryetari i kësaj Komune, Lutfi Haziri, që ky Komitet, i cili është një mekanizëm i rëndësishëm për komunitetet në një mjedis shumetnik, të mbajë një nga takimet e ardhshme në zyrat e OKB-së në Prishtinë dhe u shpreh i kënaqur që kjo ide e tij u realizua.

Sa i përket misionit të UNMIK-ut në Kosovë Tanin ka thënë se roli i këtij misioni ndërkombëtar ka ndryshuar nga vitet e kaluara, meqë Kosova ka dëshmuar aftësi për të udhëhequr vetë dhe kjo tregon se edhe qeverisja komunale në Gjilan i ka besuar Kemal Shahinit të drejtojë këtë Komitet të rëndësishëm për pesë mandate.

Duke kërkuar bashkëpunim sa më të mirë mes komuniteteve, ai u shpreh i gatshëm që të ndihmojnë komunitetet edhe më tutje, nëse është e nevojshme.

Kemal Shahin, kryesues i kësaj trupe komunale, ka thënë se komunitetet në Gjilan janë të barabarta në institucione dhe në jetën publike. Për të gjitha komunitetet, turq, serbë, romë e boshnjakë, siguria është në nivel dhe askush nuk ka vërejtje, ka thënë ai.

Ibsih Ibishi (AAK), anëtar i Komitetit, ka thënë se i vjen mirë që më në fund edhe zyra e UNMIK-ut e ka kthyer kokën nga qeverisja lokale, ndërkaq Agim Brestovci ka thënë se do të ishte mirë që ky Komitet ta mbajë një takim në veri të Mitrovicës, për të dhënë shembullin e Gjilanit sa i përket bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve.

Komiteti ka vazhduar punën sipas pikave të rendit të ditës, ku shefi i Zyrës për Komunitete dhe Kthim ka prezantuar raportin e punës për periudhën janar-mars 2017.