OJQ Koha: Papërgjegjësi e plotë e Kuvendit Komunal të Klinës Foto: Koha / arkivi

OJQ Koha: Papërgjegjësi e plotë e Kuvendit Komunal të Klinës

28 prill 2017 14:49

Kuvendi Komunal i Klinës nuk ka respektuar procedurat teknike dhe demokratike në zhvillimin e seancës së katërt të rregullt të këtij muaji, njofton kumtesa nga OJQ Koha, transmeton Koha.net .

Problemet e para janë shfaqur në fillim kur Kryesuesi i Kuvendit Komunal është vonuar për 20 minuta në paraqitjen e tij në sallë, duke shkaktuar kështu vonesa në fillimin e seancës të paraparë për në ora 10:00. Disa minuta, gjegjësisht tre, para arritjes së Kryesuesit në sallë këshilltarët e opozitës dalin pa paralajmërim, duke shkaktuar edhe mungesë kuorumi. Kryesuesi i Kuvendit nuk ka dhënë sqarime se pse është vonuar prania e tij në sallë për 20 minuta, kurse nga ana tjetër mbetet e paqartë arsyeja e largimit të këshilltarëve të opozitës.

Seanca pastaj ka filluar zyrtarisht me 35 minuta vonesë, vetëm pas arritjes së kuorumit prej 14 këshilltarësh Komunalë, ku në mënyrë të përshpejtuar dhe pa asnjë diskutim është miratuar rendi i ditës dhe 3 pika të këtij rendi. Një nga pikat e këtij rendi, ku Ekzekutivi i Komunës është dashur të raportojë për punën e tij për vitin 2016, ka kaluar me paraqitjen e Kryetarit të Komunës në foltore me një kohëzgjatje prej vetëm 1.5 minutash.

Pas miratimit të këtyre pikave është vendosur për një pauzë të seancës për 30 minutash. Pas rifillimit të seancës, dhe rikthimit të këshilltarët e opozitës në sallë, të njëjtit kanë kërkuar të rikthimin në diskutim të pikave paraprake të cilat në rast të moskthimit do shtynin këta këshilltarë ta braktisnin plotësisht seancën.

Kryesuesi i Kuvendit pas theksimit se pikat paraprake janë miratuar nga 14 këshilltarë, të cilët kanë krijuar kuorumin, vendos që të procedojë me pikat e tjera të rendit të ditës, vendim i cili shtynë këshilltarët e opozitës ta braktisin seancën.

Tri pikat e fundit të rendit të ditës miratohen, ashtu sikurse pikat e pjesës së parë, pa asnjë diskutim paraprak por vetëm me ngritje të dorës nga 14 këshilltarët e pranishëm të pozitës.

Për OJQ KOHA-në mbetet shqetësuese largimi, pa paralajmërim, i këshilltarëve të opozitës nga salla edhe pse të njëjtit megjithatë janë nënshkruar në listën për mëditje. Kurse shqetësim edhe më i thellë mbetet procedimi dhe miratimi, pa asnjë diskutim, i pikave të rendit të ditës nga këshilltarët e pozitës, të cilët pranojnë mëditjet jo vetëm për të qenë fizikisht të pranishëm në sallë por edhe për të diskutuar mbi çështjet dhe nevojat e qytetarëve të Klinës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme