Arbëri

Deçani pritet t’i rrënojë lokalet e qendrave zejtare ende pa i kompensuar pronarët

Ende pa marrë kompensimin për pronat e tyre, Komuna e Deçanit ka paralajmëruar rrënimin e disa lokaleve në qendrën zejtare të këtij qyteti.

Ka disa ditë që pronarët e këtyre lokaleve, përmes një vendimi, janë paralajmëruar që brenda 8 ditëve ato do të rrënohen, raporton KTV.

Por, avokati Isa Osdautaj thotë se, përveçse u dëmtuan gjatë vlerësimit të lokaleve, komuna kreu një sërë shkeljesh gjatë kohës së shpronësimit, duke mos ua njohur asnjëherë të drejtën si pronarë të përhershëm të këtyre lokaleve.

E, ndonëse lënda për kompensim e lokalit të familjes Binakaj gjendet në gjykatë, kjo nuk e ka penguar komunën që të lëshojë vendim për rrënimin edhe të këtij lokali.

Por, avokatja Merita Binakaj thotë se ajo ka kërkuar masë sigurie nga gjykata, derisa e konsideron të paligjshëm vendimin për rrënimin e lokalit.

Ndërsa në Gjykatën Themelore, dega në Deçan, zyrtarë të gjykatës kanë thënë se këto lëndë janë pranuar së fundi dhe u janë ndarë dy gjyqtarëve për shqyrtim.

Ligji mbi Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme, përkatësisht neni 11 i këtij ligji, e saktëson se “personat të cilët janë pronarë ose posedues të pronës, nuk do të detyrohen që ta lirojnë ose dorëzojnë pronën tridhjetë (30) ditë pas datës në të cilën është paguar plotësisht kompensimi i përcaktuar në vendimin përfundimtar”.