Arbëri

MIT-i mbështet Gjilanin me 1.7 milionë euro për projekte infrastrukturore

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, të enjten priti në takim kryetarin e Gjilanit Lutfi Haziri, me të cilin ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, në mbështetje të projekteve lokale të kësaj komune, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Më tutje thuhet se Komuna e Gjilanit për vitin 2019, nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit përfiton mbështetje financiare në vlerë prej 1.700.000 euro, për realizimin e disa projekteve të reja infrastrukturore lokale.

Lekaj kërkoi nga i pari i Gjilanit implementim cilësor të projekteve dhe respektim të afateve kohore për zbatim të tyre.

Gjatë këtij takimi, Lekaj kumtoi edhe lajmin se zgjerimet e hyrjeve në drejtim të Gjilanit nga Prishtina dhe Kllokoti do të fillojnë në muajin qershor. Këto dy investime që secila kanë kosto nga rreth 4 milionë euro, realizohen me kredinë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Lekaj dhe Haziri diskutuan edhe për zhvillimin e punimeve në autostradën e Gjilanit, duke ritheksuar edhe rëndësinë e këtij investimi në lidhjen e korridoreve evropiane.