Arbëri

Qytetarët e Pejës nuk mund ta përdorin rëntgenin as në QKMF e as në spital, mungon filmi

Qazim Haskaj shkoi për të kërkuar shërbimin e rëntgenit në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Pejë.

Por, këtë shërbim ai nuk mundi ta marrë nga kjo qendër, për shkak se aparati i ri ende nuk është aktivizuar, raporton KTV.

Ai thotë se është i zhgënjyer nga shërbimi në QKMF dhe gjithashtu edhe në spital.

Aparati i ri i rëntgenit, i është dhuruar si donacion QKMF- së në Pejë.

Kryeshefja në këtë Qendër, Arjeta Musliqi, thotë se ky shërbim nuk mund të ofrohet, sepse Instituti i Mjekësisë së Punës, nuk ka bërë ende matjen e rrezeve.

Kurse, mungesë të rëntgenit ka edhe në Spitalin e Pejës, e drejtori i tij Skënder Dreshaj thotë se për të, mungon filmi i nevojshëm për funksionim.

Ndryshe, për mungesën e filmit të rëntgenit, Dreshaj thotë se bartja e kompetencave nga Ministria e Shëndetësisë në SHSKUK, ka bërë që të ketë vonesa të lidhjes së disa kontratave.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, ditë më parë, kanë njoftuar se bartja e kompetencave është bërë dhe brenda një kohe të shkurtër SHSKUK-ja do të ketë mundësi të lidhë kontrata të reja.