Arbëri

QKMF në Prizren nga sot punon pandërprerë

Descriptive Text

Që nga sot, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prizren, do të punojë edhe me ndërrimin e tretë dhe do t'i ofrojë qytetarëve të komunës së Prizrenit shërbime mjekësore për 24 orë.

Nga sot, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prizren, do të punojë edhe me ndërrimin e tretë dhe do t’iu ofrojë qytetarëve të kësaj komune shërbime për 24 orë.

Në një njoftim të komunës së Prizrenit theksohet se me funksionalizimin e ndërrimit të tretë të QKMF-së, njësia e Urgjencës do të lirohet nga mbingarkesa dhe do të merret vetëm me rastet urgjente, derisa në QKMF do të ofrohen shërbime për raste që nuk janë urgjente.

“Me anë të shërbimeve cilësore, pastërtisë dhe mënyrës së trajtimit të pacientëve, po i kthehet besimi i qytetarëve ndaj institucioneve shëndetësore në nivelin komunal. Rreth 80% të shërbimeve mjekësore po kryhen në shërbimin parësor mjekësor, duke filluar që nga analizat e deri tek mamografia, dhe kjo e bënë Komunën e Prizrenit njërën prej komunave më të suksesshme në këtë aspekt”, ka thënë ndër tjerash kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Në anën tjetër, drejtori i Shëndetësisë në Prizren, Visar Shehu, bëri të ditur se “shërbimi 24 orësh në QKMF është pjesë e referomës që po bëhet në shërbimin parësor shëndetësor dhe paralajmëroi edhe për shumë projekte të reja që do të realizohen gjatë këtij viti”.