Arbëri

Iu dha lamtumira viktimës së aksidentit të djeshëm që vdiq duke i shpëtuar 3 fëmijë

Shumë miq, familjarë e të afërm, ishin mbledhur për t’ia dhënë lamtumirën e fundit, Qerim Çoçajt, i cili vdiq të enjten në aksidentin tragjik në Gjilan.

Djali i tij, Leutrimi, ndonëse nuk deshi të flasë para kamerës, tha se ndien dhimbje të thellë për babanë, e po ashtu edhe për të lënduarit e tjerë, raporton KTV.

Njëri nga dëshmitarët i cili ka parë fillimin e aksidentit, thotë se i ndjeri Çoçaj ishte në rrugë duke u munduar t’i shpëtonte tre fëmijë.

Ndërkaq, një tjetër dëshmitar tregon se çfarë ka parë në pjesën ku është ndalur në fund shoferi i kamionit.

Për t’i shprehur ngushëllime familjes Çoçaj, të premten, i pranishëm ishte edhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Të premten, në Spitalin e Gjilanit kanë qëndruar 11 të lënduarit, të cilët pritet të lirohen gjatë fundjavës.

Por, njëri nga familjarët e 5 të lënduarve në aksidentin e së enjtes, thotë se trajtimi që po u bëhet të aksidentuarve në Spitalin e Gjilanit, nuk është i duhur.

Derisa prej të lënduarve që vazhdojnë të jenë në gjendje më të rëndë, trajtim po marrin në QKUK në Prishtinë, e një nga ta është në gjendje kritike.

Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu.

Aksidenti tragjik i cili ka tronditur Gjilanin, pasditen e së enjtes, sipas hetimeve të para të Prokurorisë, dyshohet se ka ndodhur si pasojë e dështimit të sistemit të frenimit të kamionit, shoferi i të cilit po transportonte ujë.

Nga ky aksident, një person ka mbetur i vdekur, ndërkaq rreth 30 persona të tjerë janë lënduar.

Deri më tani, policia ka ndaluar shoferin e kamionit, M.A. dhe bashkudhëtarin që ishte me të, me ç’rast prokurori i rastit ka kërkuar 30 ditë paraburgim për shoferin, seanca për të cilin do të mbahet të shtunën.