Arbëri

Komuna e Mitrovicës përfiton grant prej 93,681 euro nga DEMOS-i

Foto: Komuna e Mitrovicës

Në kuadër të Grantit të Performancës, Komuna e Mitrovicës ka nënshkruar marrëveshjen për mirëkuptim dhe financim, ku kjo komunë është përfituese e një granti në vlerë prej 93,681.00 euro nga projekti i DEMOS-it, i cili është financuar nga Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe MAPL në kuadër të projektit i cili ka për qëllim të ofrojë asistencë teknike për Komunën, me qëllim të përmirësimit të performancës.

Nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka, ka falënderuar DEMOS-in për mbështetjen e tyre për Komunën e Mitrovicës dhe në të njëjtën kohë ka shprehur gatishmërinë institucionale për të rritur performancën komunale në të ardhmen.

Ai po ashtu ka përshëndetur punën e palodhshme të koordinatorit për përformancë komunale, Mehmet Bajrami, “i cili së bashku më zyrtarët e tjerë komunalë me shumë përkushtim po e kryejnë këtë punë”.

Mjetet e këtij granti do të përdoren për investime kapitale në çfarëdo fushe prioritare në përputhje me kompetencat dhe planet e komunës.

Ndërsa qëllimi i grantit të performancës është stimulimi i komunave për përmirësimin e mëtutjeshëm të performancës së tyre në fushat e qeverisjes demokratike, menaxhimit komunal, transparencës dhe integriteti.