Arbëri

Alternativa akuzon Gjinin se po tenton të degradojë planet urbanistike të Gjakovës

Në mbledhjen e sotme të Komitetit për Politik dhe Financa në mesin e pesë pikave të rendit të ditës, u propozua që të shfuqizohet plani urbanistik, në vendbanimet në mes të rrugës “Sadik Stavileci” dhe rrugës së “UÇK-së”, e gjithë kjo me qëllim të krijimit të një kaosi i cili do krijonte hapësirë për objekte të larta shumë katëshe, thotë Alternativa përmes një komunikate për media.

“Edhe kjo pikë e rendit të ditës dëshmon se kjo qeverisje prioritet i ka shfuqizimet e planeve të mirëfillta urbane dhe hapjen e rrugës për një kaos urbanistik në territorin e qytetit të Gjakovës”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Alternativa thotë se Komuna nuk ka sjellë asnjë plan të ri për këtë zonë.

“Si ka mundësi që sot në KPF, është kërkuar që të aprovohet një shfuqizim plani urbanistik, përderisa Komuna e Gjakovës nuk ka sjellë asnjë plan ose vizion se si do bëhet plani i ri urban në këtë pjesë të qytetit, i cili nuk ka gjasa të hartimit pa miratimin e hartës zonale, që Komuna e Gjakovës ende nuk e ka. Për më keq, qeverisja e Ardian Gjinit, as që ka pyetur banorët për iniciativën e shfuqizimit të këtij plani dhe këta të fundit fatkeqësisht njoftohen përmes mediave për një veprim të tillë”, thuhet në komunikatë.

Më tutje thuhet se në të njëjtën pjesë, ekzistojnë shumë objekte shumëkatëshe të ndërtuara pa leje dhe jashtë planit rregullativ që në kohën e qeverisjes së Aleancës gjatë viteve 2007-2013.

Sipas Alternativës kjo po bëhet për t’i favorizuar biznesmenët që janë pjesë e AAK-së.

“Kryetari Gjini përmes tentimeve të njëpasnjëshme, në mënyrë indirekte po shfrytëzon pozitën e tij zyrtare që t’iu krijojë kushte dhe hapësirë kyçe brenda qytetit biznesmenëve të ndërtimit që janë anëtarë dhe zyrtarë të lartë të Aleancës. Thjeshtë, interesi i pushtetit lokal në Gjakovë është krijimi i kaosit urbanistik në Gjakovë”, thuhet në komunikatë.

Pas dështimit të këtyre tendencave për ndërtime shumë katëshe në bllokun e ri dhe në afërsi të Kullës së “Sylejman Vokshit”, tashmë qeverisja Gjini ka zgjedhur një pjesë tjetër të qytetit e cila është në mesin e rrugëve kryesore “Sadik Stavileci” dhe rrugës “UÇK” .

Alternativa, ka kundërshtuar fuqishëm këtë pikë të rendit të ditës, duke kërkuar që të zhvillohen së pari procedurat e parapara me rregulloret në fuqi, ku patjetër që duhet kërkuar edhe mendimi i banorëve të kësaj pjese, si dhe Komuna duhet të prezantojë para shfuqizimit idenë dhe vizionin se si do duket plani i ri edhe pse është e pa mundur të realizohet pa miratimin e hartës zonale.

Image