Arbëri

Faji i shkeljeve në tender, Dragashi ka mbetur tash e 7 vjet pa ujësjellës

Ka 7 vjet që Komuna e Dragashit nuk ka arritur t’i fillojë punimet për ndërtimin e ujësjellësit në këtë qytet.

Shkak për këtë ishin bërë shkeljet ligjore në këtë tender, i cili mbulon 15 fshatra dhe qytezën e Dragashit, raporton KTV.

Por, zyrtarë të kësaj komune thonë se më në fund edhe ky projekt do të fillojë së realizuari, ndonëse lënda është ende në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Sipas nënkryetarit të Komunës së Dragashit, Selami Saiti, projekti i vazhdimit të punimeve për ndërtimin e ujësjellësit në këtë qytet, do të fillojë më së largu në fund të prillit.

Saiti thotë se sipas ekspertit të OSHP-së, ata mund të vazhdojnë punimet, ndonëse ka pasur ankesë nga një kompani.

Kompania ankuese, Puna SHPK, e cila kishte konkurruar 6 herë, por që asnjëherë nuk e kishte fituar tenderin, ka thënë se autoriteti kontraktues që është Komuna e Dragashit, ka bërë shkelje ligjore, pasi që kompania fituese nuk i ka plotësuar asnjëherë kriteret.

“Ne kemi kërkuar dhe po kërkojmë respektimin e ligjeve në fuqi dhe asgjë më tepër.

AK nuk i zbaton (i shkel) këto ligje dhe në mënyrë të jashtëligjshme shpërblen OE të papërgjegjshëm për këtë tender”, ka thënë Vahidin Halili, përfaqësues i këtyre kompanive.

Derisa komuna pritet të nisë realizimin e projektit, kompania e ka dërguar lëndën në prokurori.