Arbëri

Bahtiri tregon pse nuk mbajti premtimin për 15 mijë të punësuar, flet edhe për kufijtë

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri pranon se nuk ka e ka përmbushur premtimin kryesor të fushatës elektorale, atë për punësimin e 15 mijë mitrovicasve.

Por në “Puls” të KTV-së ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak se “është penguar nga niveli qendror”.

"Vizioni im ka qenë shumë i saktë. Por unë nuk e kam ditur se do të kem këso bllokadash nga niveli qendor. Unë kam ardhur me partenerët e mi të Evropës dhe të Azisë, por jam bllokuar", ka thënë Bahtiri.

Ai ka folur edhe për çështjen e shumëpërfolur, atë të kufijve administrativë të Mitrovicës Jugore.

“Unë e kam hartën prej Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku janë të caktuar kufijtë administrativë të Mitrovicës, sipas Planit të Ahtisarit të miratuar në Kuvendin Komunal në vitit 2004 dhe në Kuvendin e Republikës në vitin 2008. Pra, fshatrat Suhodoll, Gushavc, Vinarc, Vidimriq dhe Qabër sipas këtij plani janë nën komunën e jugut, kurse veriorët tentojnë që me një hartë tjetër këto fshatra të veriut buzë lumit Ibër deri në Zubin Potok t’i bashkohen komunës së veriut”, ka thënë ai. “Këtë nuk e kam lejuar. Për neve kjo është çështje e mbyllur, edhe për ndërkombëtarët po ashtu”, ka shtuar më tej.

Bahtiri ka bërë thirrje homologut të tij nga veriu që të miratojë këta kufij.

“Kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, duhet ta nënshkruajë memorandumin për këta kufij. E kisha ftuar sonte përmes emisionit tuaj që ta nënshkruajë atë dokument sepse nuk ka zgjidhje tjetër pos këta kufij që janë”, ka thënë Bahtiri.

Më tej Bahtiri ka shprehur bindjen se pse Rakiqi po do që ta marrë Suhodollin.

“Për shkak se është fshat multietnik në veri. Por nuk do të lejojmë. Pra e ftojë që ta nënshkruajë sa më shpejt që të jetë e mundur për arsye se nuk ka zgjedhje tjetër, sepse nëse hapet Pakoja e Ahtisarit atëherë unë do të kërkoja që Mitrovicës së Jugut t’i jepen lagjet Kroi i Vitakut dhe Lagja e Boshnjakëve”, ka thënë Bahtiri.