Arbëri

Dështon kërkesa e Bahtirit për “mësimdhënës vullnetarë”, greva vazhdon

Descriptive Text

Mësimdhënësit e shkollave të komunës së Mitrovicës nuk kanë përfillur kërkesën e kryetarit të kësaj komune, Agim Bahtiri, që mësimi të fillojë sot, qoftë edhe me arsimtarë e mësues vullnetarë.

Drejtori i Arsimit në Mitrovicë, Iset Beka, ka konfirmuar për KosovaPress mos mbajtjen e mësimit në shkollat e Mitrovicës.

“Jo, nuk është duke u mbajtur mësimi në asnjë shkollë. Nuk kemi as mësimdhënës vullnetarë, me gjasë po hezitojnë për shkak të kolegëve ose SBASHK-ut, nuk e di”, ka thënë Beka.

Ndërkaq, Isa Ismajli, kryetar i Sindikatës së mësimdhënësve në komunën e Mitrovicës, e ka quajtur të gabuar deklaratën e kryetarit Bahtiri për mbajtjen e mësimit sot, përmes mësimdhënësve vullnetarë. Sipas tij, kryetari Bahtiri nuk ka arritur të gjejë vullnetarë, ndërsa konfirmoi se greva është duke vazhduar në të gjitha shkollat e kësaj komune.

“Deklarata e kryetarit Bahtiri për mbajtjen e mësimit me arsimtarë vullnetarë është e gabuar. Ai me siguri ka tentuar të gjej këta arsimtarë në mesin tonë, por nuk ia ka arritur qëllimit. Greva vazhdon në Mitrovicë 100 për qind”, u shpreh Ismajli.