Arbëri

Stafi i Emergjencës në Lipjan kërkon hetim ndaj tre policëve që s’u morën me rastin e tyre

Stafi mjekësor në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Lipjan dhe subjekti më i madh opozitar, PDK-ja dega në Lipjan, kanë kërkuar nga Inspektorati i Policisë së Kosovës të nisin hetime ndaj tre zyrtarëve policorë në Lipjan të cilët nuk kanë hapur rast në lidhje me një fjalosje midis familjarëve të kryetarit të Komunës, Imri Ahmeti, dhe stafit mjekësor që ndodhi në fund të javës së kaluar.

Në këtë fjalosje ishte i përfshirë edhe vetë kryetari i Komunës, Imri Ahmeti, derisa po trajtohej një familjar i tij, dhe në mbrojtje të kryetarit sipas stafit mjekësor ka dalë edhe drejtori i QKMF-së, Agim Krasniqi, duke i kërcënuar infermierët, doktorët dhe vozitësit e Emergjencës me arsyetimin se familjarët e kryetarit të komunës duhet të trajtohen në mënyrë të veçantë në dhomën personale të mjekut. Stafi mjekësor në këtë institucion tanimë ka kërkuar nga hetuesit e Inspektoratit të Policisë së Kosovës që t’i vëzhgojnë kamerat e sigurisë të datës 17.01.2019 nëpërmjet të cilave pasqyrohet më së miri sjellja e policëve dhe pushtetarëve, shkruan sot Koha Ditore.

Ganimete Qeriqi, infermiere në Emergjencën e QKMF-së, njëherësh këshilltare në KK të Lipjanit nga radhët e AAK-së, ka kërkuar nga Inspektorati i Policisë së Kosovës të nisin hetime ndaj tre policëve në Stacionin e Policisë në Lipjan me arsyetimin se nuk kanë iniciuar ndonjë rast të kanosjes, apo pengimit në punë të zyrtarëve shëndetësorë nga familjarët e kryetarit të Komunës dhe nga drejtori i QKMF-së, Agim Krasniqi.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)