Arbëri

Bahtiri do që bizneset të respektojnë afatet e kontratës për te Zona e Lirë Ekonomike

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thirrur në një takim pronarët e kompanive që kanë përfituar troje për ndërtimin e objekteve për bizneset e tyre në Zonën e Lirë Ekonomike, në Frashër, për t’ua përkujtuar obligimet kontraktuese.

Në njoftimin për media të Komunës së Mitrovicës, thuhet se fillimisht kryetari Bahtiri u ka thënë atyre s komuna ka bërë një punë të mirë në përgatitjen e hapësirës për ndërtimin e objekteve, duke përfshi këtu edhe hapjen e rrugëve dhe vendosjen e trafo-stacionit të rrymës.

“Shumë shpejt aty do të ketë edhe ujë dhe do të rregullohet kanalizimi. Kemi mundur ta asfaltojmë edhe rrugën, por këtë nuk po e bëjmë me qëllim, pasi qarkullimi i automjeteve të rënda me materiale të ndryshme që ju duhen juve për ndërtim, do ta dëmtonin atë. Prandaj, kur punimet të përfundojnë, asfaltimi i rrugës do të bëhet menjëherë”, tha ai.

Kryetari Bahtiri ju ka thënë pronarëve të kompanive se kanë qenë të obliguar sipas kontratës që të fillojnë procedurat për marrjen e lejeve përkatëse nga komuna dhe fillimin e ndërtimit të objekteve për çka edhe u është dhënë prona komunale.

“Kushtet për fillimin e punëve për ndërtimin e fabrikave dhe objekteve tjera ekzistojnë. Ju keni qenë të obliguar që deri tash t’i merrni lejet përkatëse nga komuna. Ato brenda dy-tri ditësh merren, pasi që stafi është i obliguar që me prioritet të punoj për ju. Nëse nuk i merrni lejet dhe nëse nuk e filloni punën për ndërtimin e objekteve në afatin e kontraktuar, menjëherë do të rishqyrtohet kontrata e nënshkruar dhe ajo mund të shkëputet”, ju ka thënë pronarëve të kompanive kryetari Bahtiri.