Arbëri

Afro 60 të lënduar nga rrëshqitja në rrugë e trotuare në Pejë

Pothuajse të gjitha trotuaret në qytetin e Pejës janë ende të papastruara nga bora që ka rënë ditët e kaluara. Mospastrimi i tyre, por edhe mospastrimi i mirë i rrugëve, sidomos ato dytësore, që pak e hiq nuk janë pastruar, ka shkaktuar edhe probleme në lëvizje të këmbësorëve, të cilët po rrezikohen nga lëndimet trupore prej rrëshqitjes.

“Nuk e di pse nuk pastrohen trotuaret nëpër qytet. Krejt borë e akull janë. Nuk bën të lihen kështu si janë. Rrugët pastrohen e trotuaret jo. Nëse nuk donë të rrëzohesh po duhet me ec rrugës, e ku po rrezikohesh nga makinat. Rrezik këndej e rrezik andej”, ankohet 62-vjeçarja S.G., e cila nga rreziku se mos po rrëshqet, ecte sikur po shkelte mbi vezë, shkruan sot Koha ditore.

Mirëpo, pavarësisht se ruhej, ajo tregoi se dy herë është rrëzuar deri tash, por nuk ka pësuar lëndime të rënda që të kërkonte ndihmën e mjekut, sikur disa qytetarë të tjerë që kanë pësuar edhe fraktura në pjesë të ndryshme të trupit dhe janë detyruar të kërkojnë trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.

Besnik Ibraj, shef i urgjencës në këtë spital, tregoi të mërkurën për “Kohën Ditore”, kanë pasur mjaft raste ditët e kaluara, që kanë pranuar qytetarë të lënduar nga rrëshqitja në rrugë apo trotuare.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)