Arbëri

Shkojnë në suficit 34 mijë euro të projektit për strehimoren e qenve në Prizren

Komuna e Prizrenit ende nuk i ka përfunduar procedurat e përcaktimit të lokacionit për ndërtimin e strehimores për qentë endacakë, ani pse prej disa muajsh është iniciuar aktiviteti i prokurimit për këtë projekt. Zyrtarët komunalë kanë pranuar vështirësitë në këtë drejtim, duke konfirmuar edhe shkuarjen në suficit të 34 mijë eurove të planifikuara për këtë projekt me buxhetin e vitit 2018.

Megjithëkëtë kanë pohuar se tashmë kanë gjetur një lokacion të përshtatshëm afër fshatit Malësi e Re dhe se nevojiten edhe disa konsultime me drejtuesit e Policisë në Prizren, ashtu që punët ndërtimore në këtë lokacion të fillojnë me përmirësimin e kushteve atmosferike, pasi që me buxhetin e vitit 2019 janë planifikuar 70 mijë euro, shkruan sot Koha Ditore.

Drejtori i Bujqësisë, Egzon Elshani ka bërë të ditur se për këtë projekt organet komunale janë përballur me probleme pronësore në disa raste. “Disa lokacione na kanë dështuar, në kuptimin që në letra figuronte se është pronë e Komunës, ndërsa në terren ishte krejt tjetër gjendja faktike.

Në fund jemi përcaktuar për një lokacion afër fshatit Malësi e Re, afër kufirit me Komunën e Suharekës. Këtë lokacion, Komuna ia kishte dhënë Policisë për shfrytëzim me një marrëveshje të nënshkruar në vitin 2007, që ka skaduar në vitin 2012 dhe nuk është vazhduar më. Për këtë arsye ka mbetur me u konsultua edhe një herë me drejtuesit e Policisë në Prizren, sepse është edhe poligoni i qitjes aty. Por gjasat janë më të mëdha që strehimorja për qentë të ndërtohet në këtë lokacion”, ka thënë Elshani.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)