Arbëri

Komuna e Gjilanit reagon ndaj akuzave të VV-së, thotë se nuk merret me improvizimet e opozitës

Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan, përmes një komunikate për media, sot ka akuzuar Komunën për mospërmbushjen e detyrave për pastrimin e rrugëve nga bora, dhe kështu disa nga aktivistët e saj kanë pastruar borën nëpër trotuaret dhe në hapësirat e institucioneve publike.

Për këtë ka reaguar Komuna e Gjilanit duke thënë se në mënyrë permanente po i pastron rrugët dhe trotuaret nga bora, transmeton Koha.net.

Gjithashtu, thotë se të gjitha rrugët janë të hapura dhe të kalueshme dhe se nuk merret me improvizimet e një pjese të opozitës.

Reagimi i plotë i Komunës:

Komuna e Gjilanit, pas reshjeve të shumta të borës, në mënyrë permanente po i pastron rrugët dhe trotuaret.

Deri tani, edhe në zonat e thella malore të gjitha rrugët janë të hapura dhe të kalueshme dhe nuk ka pasur asnjë ankesë nga ana e qytetarëve.

Komuna e Gjilanit e ka për obligim që t’u dalë në ndihmë qytetarëve 24 orë pandërprerë dhe këtë po e bën me të gjitha kapacitetet, pa u marrë fare me improvizimet e një pjese të opozitës.

Komuna e Gjilanit njofton qytetarët që për çdo problem që eventualisht mund të hasin të kontaktojnë numrat kujdestarë: +383 44 234 007 dhe +383 45 540 803”.