Arbëri

Gjykata detyron Komunën të mos e pengojë menaxhimin e çerdhes “Yllka”

Gjykata Themelore ka ardhur në përfundim se Komuna e Prizrenit ka penguar operatorin “Pedaks” në posedimin e kopshtit të fëmijëve “Yllka” dhe njëherësh ka obliguar administratën lokale që të përmbahet nga veprimet e kësaj natyre.

Këtë aktvendim, Gjykata e ka marrë bazuar në kërkesëpadinë e “Pedaks”-it, e cila është miratuar në shkallën e parë, shkruan sot Koha Ditore.

Kabineti i kryetarit të Komunës së Prizrenit, të premten, ka shprehur qëndrimin se ky vendim nuk është përfundimtar dhe se ka të bëj vetëm me ditën kur është tentuar që çerdhja “Yllka të merret nga zyrtarët komunalë.

këshilltari i AAK-së, Ilir Baldedaj, ka theksuar se në këtë mënyrë po vërtetohet paaftësia e kryetarit Mytaher Haskuka dhe këshilltarëve të tij në menaxhimin e kontratave.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prizrenit, Afërdita Kicaj, të premten ka konfirmuar se kjo gjykatë ka miratuar padinë e bërë nga “Pedaks” ShPK kundër Komunës së Prizrenit.

Tentimi i Komunës së Prizrenit për shkëputjen e kontratës, përkatësisht lirimin e kopshtit të fëmijëve “Yllka”, që aktualisht është nën menaxhim të institucioneve edukativo arsimore “Pedaks ShPK”, në muajin gusht të vitit të kaluar ishte bartur në organet e drejtësisë nga kjo e fundit. Në bazë të kërkesës për mbrojtje ligjore të IEA “Pedaks”, Gjykata Themelore e Prizrenit në gusht të vitit 2018 pati caktuar masë të përkohshme të sigurisë duke urdhëruar Komunën që të mos ndërmarrë veprime për mbylljen e kopshtit “Yllka” deri në një vendim tjetër të gjyqësorit. (Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)